Presidentja Osmani në Departamentin e Shtetit – Diskutime me Louis Bono për partneritetin Kosovë-SHBA

Aktuale

Presidentja Osmani në Departamentin e Shtetit – Diskutime me Louis Bono për partneritetin Kosovë-SHBA

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 09:22 Përditësuar në ora: 18:35 më 05.02.2025
Presidentja Vjosa Osmani

Partneriteti strategjik Kosovë-SHBA, Vjosa Osmani takon Louis Bono

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Uashington, takoi ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit Louis Bono, me të cilin diskutoi mbi forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve në përputhje me objektivat e administratës Trump, dhe avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi.

Gjatë takimit, Osmani riafirmoi përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke thelluar marrëdhëniet bilaterale.

Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale dhe nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe akterë të tjerë keqdashës.

Në këtë kontekst, Osmani nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon.

Në mes tjerash, Osmani foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO, gjë që përveç se do të fuqizonte sigurinë në Kosovë e rajon, është përfundimisht edhe në harmoni me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale.

Ajo konfirmoi se Kosova ka rritur tashmë buxhetin për mbrojtje në 2% të bruto produktit vendor dhe është në proces të rritjes së këtij buxheti për të përmbushur objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO.

Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në drejtim të realizimit të dialogut strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti, për të adresuar sfidat dhe përparësitë e përbashkëta në fusha të ndryshme.

Kujtojmë, Louis Bono është emëruar nga administrata e presidentit Donald Trump si ushtrues detyre në pozitën e ndihmës sekretarit të Shtetit më 20 janar 2025.

Presidentja Osmani sot pritet në Departamentin amerikan të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takohet sot me një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në Shtetet e Bashkuara.

DASH-i njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Presidenca e Kosovës nuk ka njoftuar për ndonjë takim të tillë.

Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin pasi i fitoi zgjedhjet në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Vizita e Osmanit në DASH pason deklaratat e dy ditëve më parë të të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi kabinetin e kryeministrit Kurti, në lidhje me këto komente, por nuk mori përgjigje.

Kurti i ka justifikuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat