“As Grenelli, as Musk, as Rama as Scholzi por…”, gazetari i medias gjermane reagon për Grenellin: A është e çuditshme që po përzihet?

Aktuale

“As Grenelli, as Musk, as Rama as Scholzi por…”, gazetari i medias gjermane reagon për Grenellin: A është e çuditshme që po përzihet?

Nga: N.E Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 09:55
Richard Grenell

Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, ka reaguar pas deklaratave të fundit të emsiarit amerikan, Richard Grenell.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai thotë se nuk ka nevojë të ketë habi për të dhe nuk është mirë përzirja e tij në zgjedhjet e Kosovës.

Ai konsideron se është me rëndësi deklarata e tij për Kurtin, sepse sipas tij, me apo pa dëshirë ai është një hallkë serioze në administratën e Trumpit.

“Nuk e di pse po habitni!A është mirë që Grenelli po përzihet në zgjedhjet e Kosovës? Jo, nuk është mirë. A është e çuditshme që po përzihet? Jo, nuk është fare. Bile mua po më habisin shumë ata që po habiten kaq shumë dhe po e shtrojnë këtë dilemë. A është me rëndësi deklarata e tij për Kurtin? Po është, sepse Grenelli, deshëm ne apo jo, është një hallkë serioze në adminsitratën e Trumpit. A do të ndikojë kjo përzierje në rezultatet e zgjedhjeve? Nuk e di, këtë e vendosni ju! Por gabim e kanë edhe ata që thonë se Grenelli është i parëndësishëm dhe se nuk luan kurfarë roli, mendoj unë”, ka shkruar Cani.

Sipas tij, shumë politikanë përzihen në shumë çështjet e brendshme të vendeve tjera, në fund vendos vetë votuesi.

“Me siguri që ju kujtohet se edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur mendime të qarta ndaj shumë zgjedhjeve rajonale e ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato në Amerikë. E të mos flasim për pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Shqipërisë (ndonëse këtu shumëkush mund të thotë se asgjë ska të keqe, sepse ky është vendi amë i shqiptarëve). Të mos harrojmë po ashtu që edhe partitë e tjera në Kosovë kanë mbështetur kandidatë e parti të ndryshme në Amerikë dhe në vende të ndryshme. Mund të radhis kështu shumë e shumë politikanë e vende, mund të flas për pëzierjen e Erdoganit në zgjedhjet e Gjermanisë, për qëndrimet gjermane ndaj zgjedhjeve në Bjellorusi, apo Rusi, për, për... por esenca mbetet e njëjtë: Shumë politikanë përzihen në shumë çështje të brendshme të shumë vendeve të tjera. Në fund vendos vetë - votuesi. Ndonëse këtu ka një dallim të vogël - deklaratat e Ramës, Kurtit apo dhe politikanëve gjermanë e kanë peshën më të vogël se ato të Trumpit, Muskut dhe Grenellit, për vetë faktin se Amerika është shumë më e fuqishme”, ka vazhduar gazetari.

Në fund, ai ka kërkuar që qytetarët të ulen, të mendojnë dhe t’i shikojnë arritjet e katër viteve të fundit.

“As Grenelli, as Musk, as Rama as Scholzi po ju. Thjesht, uluni mendoni mirë, shikoni arritjet e katër viteve të fundit, apo dhe ato të 25 viteve të fundit, dhe votoni. Veç mos harroni të votoni, sepse kam një përshtypje që çdo votë mund të jetë me rëndësi!

Ndryshe: Mbrëmë vonë diku nga mesnata më kanë ardhur edhe disa sondazhe të brendshme të partive. Sipas tyre, ndryshime ka, vetëm nuk mund të them në cilin drejtim...

Jam kurioz të shoh me 10 shkurt nëse vërtet kanë të drejtë!”, ka përfunduar Cani.

Shkrimi i plotë:

Nuk e di pse po habitni!

A është mirë që Grenelli po përzihet në zgjedhjet e Kosovës? Jo, nuk është mirë. A është e çuditshme që po përzihet? Jo, nuk është fare. Bile mua po më habisin shumë ata që po habiten kaq shumë dhe po e shtrojnë këtë dilemë. A është me rëndësi deklarata e tij për Kurtin? Po është, sepse Grenelli, deshëm ne apo jo, është një hallkë serioze në adminsitratën e Trumpit. A do të ndikojë kjo përzierje në rezultatet e zgjedhjeve? Nuk e di, këtë e vendosni ju! Por gabim e kanë edhe ata që thonë se Grenelli është i parëndësishëm dhe se nuk luan kurfarë roli, mendoj unë.

Vetëm t'ju kujtoj që (me siguri e dini se) Amerika po përzihet në mënyrë shumë të drejtëpërdrejtë edhe në zgjedhjet e Gjermanisë ( përmes Elon Musk, i cili tha se vetëm AfD e shpëton Gjermaninë, e që unë dhe 80% e gjermanëve janë kundër). Dy ditë pati shqetësime në Gjermani dhe pak a shumë u harrua kjo punë. Por të mos harrojmë se edhe në Gjermani shumëkush e ka mbështetur hapur Bidenin e më vonë Harrisin. Të mos harrojmë po ashtu që dikur edhe Edi Rama është deklaruar shumë, shumë hapur kundër Trumpit, ndërsa sot ka ndryshuar qëndrim.

Me siguri që ju kujtohet se edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur mendime të qarta ndaj shumë zgjedhjeve rajonale e ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato në Amerikë. E të mos flasim për pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Shqipërisë (ndonëse këtu shumëkush mund të thotë se asgjë ska të keqe, sepse ky është vendi amë i shqiptarëve). Të mos harrojmë po ashtu që edhe partitë e tjera në Kosovë kanë mbështetur kandidatë e parti të ndryshme në Amerikë dhe në vende të ndryshme. Mund të radhis kështu shumë e shumë politikanë e vende, mund të flas për pëzierjen e Erdoganit në zgjedhjet e Gjermanisë, për qëndrimet gjermane ndaj zgjedhjeve në Bjellorusi, apo Rusi, për, për... por esenca mbetet e njëjtë: Shumë politikanë përzihen në shumë çështje të brendshme të shumë vendeve të tjera. Në fund vendos vetë - votuesi. Ndonëse këtu ka një dallim të vogël - deklaratat e Ramës, Kurtit apo dhe politikanëve gjermanë e kanë peshën më të vogël se ato të Trumpit, Muskut dhe Grenellit, për vetë faktin se Amerika është shumë më e fuqishme.

Ndaj nuk duhet të habitemi shumë. Jo tani, sepse habia e keqe do të vijë me 10 shkurt, për ata që i humbin zgjedhjet kuptohet! E kush do t'i fitojë apo kush do t'i humbë zgjedhjet, do të vendosni ju vetë, askush tjetër.

As Grenelli, as Musk, as Rama as Scholzi po ju. Thjesht, uluni mendoni mirë, shikoni arritjet e katër viteve të fundit, apo dhe ato të 25 viteve të fundit, dhe votoni. Veç mos harroni të votoni, sepse kam një përshtypje që çdo votë mund të jetë me rëndësi!

Ndryshe: Mbrëmë vonë diku nga mesnata më kanë ardhur edhe disa sondazhe të brendshme të partive. Sipas tyre, ndryshime ka, vetëm nuk mund të them në cilin drejtim...

Jam kurioz të shoh me 10 shkurt nëse vërtet kanë të drejtë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat