​Në Kosovë e përfaqësi diplomatike arrijnë fletëvotimet e shtypura në Slloveni

Aktuale

​Në Kosovë e përfaqësi diplomatike arrijnë fletëvotimet e shtypura në Slloveni

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 12:16
Valmir Elezi

Në Kosovë, përkatësisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve para disa ditësh kanë arritur mbi 1 milionë e 752 mijë fletëvotime për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Ndërsa, edhe në përfaqësitë diplomatike ku më 8 shkurt mërgimtarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar tashmë kanë shkuar mbi 21 mijë fletëvotime.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili tha se në bazë të vendimit të KQZ janë shtypur 323 mijë e 218 apo 15.57 përqind. fletëvotime më pak se numri i votuesve.

Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues, prej të cilëve 1 milion e 970 mijë 944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104 mijë 924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.

Elezi: Fletëvotime kanë ardhur para disa ditësh në Kosovë

“Këto fletëvotime janë shtypur në Celie të Sllovenisë dhe kanë ardhur para disa ditësh në Kosovë, dhe do të shpërndahen brenda disa ditësh sigurisht para ditës së zgjedhjeve në qendrat e votimit ku do të zhvillohet procesi zgjedhor më 9 shkurt. Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë. Ndërkaq për votimin jashtë vendit në përfaqësi diplomatike janë shtypur 21,450 fletëvotime”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh se fletëvotimet e shtypura kanë arritur tashmë edhe në përfaqësitë diplomatike ku më 8 shkurt do të votojnë mërgata e Kosovës.

Elezi: Fletëvotimet janë në përfaqësi diplomatike

“Fletëvotimet të cilat janë shtypur për votimin në përfaqësi diplomatike dhe që në përgjithësi janë 21 mijë e 450 fletëvotime ato janë dërguar veçse në përfaqësi diplomatike dhe do të jenë të gatshme për procesin e votimit i cili do të zhvillohet me datë 8 shkurt”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së.

E mbrëmjen e kaluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë arritur edhe dërgesat e para me fletëvotime nga diaspora të cilat janë pjesë e votimit me postë.

Sipas Elezit ato janë në vend të sigurt dhe fillimisht do t’i nënshtrohet procesi të vlerësimit e pas ditës së zgjedhjeve do të numërohen.

Elezi: Mbrëmjen e kaluar në KQZ kanë ardhur dërgesat e para të fletëvotimeve

“Gjatë mbrëmjes së kaluar në KQZ në një hapësirë të veçantë të sigurt e cila ruhet 24 orë nga Policia e Kosovës kanë ardhur dërgesat e para të fletëvotimeve jashtë Kosovës të cilat janë pjesë e votimit përmes postës dhe këto pako me fletëvotime fillimisht do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit më pas në një fazë të mëvonshme pas ditës së zgjedhjeve pas disa procedurave do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, theksoi Elezi.

Më 9 shkurt do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovës. Ndërsa, fushata zgjedhore ka filluar më 11 janar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat