Deklaratat e të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell ndaj kryeministrit, Albin Kurti, po konsiderohen jo të shëndetshme për raportet Kosovë-SHBA. Sipas analistëve politikë, deklaratat e zyrtarit të lartë amerikan se “bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit dhe se qeveria e tij nuk është partnere e besueshme” janë të rënda. KosovaPress ka kontaktuar edhe me Qeverinë e Kosovës për të komentuar këto deklarata të Grenell dhe bashkëpunimin me administratën Trump, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.
Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, thotë për KosovaPress se Grenell reagoi ndaj Kurtit, pasi i njëjti ia jepi të drejtën vetës t’i përdorë raportet me ShBA-në për të fituar votat e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas tij, nuk është shumë e zakonshme nga zyrtarët amerikanë që të reagojnë në kohë fushate, mirëpo është dëshmuar se zyrtarë nga administrata Trump janë mjaft aktivë dhe energjikë.
Përkitazi me këtë, ai thekson se këto deklarata ndaj kryeministrit aktual dhe kandidatit për kryeministër nga partia më e madhe në Kosovë nuk janë të shëndetshme për raportet mes dy vendeve.
Paçarizi: Deklaratat e Grenell nuk janë të shëndetshme për raportet Kosovë-ShBA
“Nuk është ndërhyrje në procesin zgjedhor, pasi deklarata e shefit të misioneve të veçanta në ShBA, zotëri Richard Grenell ka qenë reagim ndaj një deklarate të Kurtit në fushatën zgjedhore. Nëse dikush në Kosovë ia jep vetës të drejtën që t’i përdorë raportet me ShBA-në cilado qoftë ajo forcë politike për të fituar votat e njerëzve, atëherë është i ligjshëm edhe reagimi nga ana tjetër. Nëse Kurti thotë se ne i kemi raportet më së miri me Amerikën se cilado qeveri e deri tanishme atëherë pala amerikane do të reagojë. Nuk është krejt e zakonshme të reagohet në kohë fushatash, por zotëri Grenell e ka dëshmuar disa herë se është personi mjaft energjik dhe aktiv. S’ka vend për hatër mbetje. A mendoj unë se janë të shëndetshme këto lojëra të ping-pongut? Nuk janë të shëndetshme, pasi qytetarët e Kosovës duhet të votojnë dhe besojnë se qytetarët votojnë për programe dhe nuk ndikohen qoftë nga deklaratat e Kurtit apo dikujt tjetër. Por fatkeqësisht këto mund të krijojnë një konfuzion”, thekson ai.
Në anën tjetër, politologu, Melazim Koci, thotë për KosovaPress se pavarësisht ashpërsisë së deklaratave të Grenell ndaj Kurtit nuk beson se do të ketë ndonjë dridhje të madhe të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së.
Për një gjë të tillë ai thotë se duhet pritur rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, mirëpo sipas tij, politika amerikane nuk bëhet në baza personale dhe në logjikën e hakmarrjes.
Koci: Politika amerikane nuk bëhet në baza personale
“Nuk besoj në pohimet apo tezat se politika amerikane bëhet në baza personale. Politika amerikane madje nuk mbështetet as në personalitetit e Trumpit... Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një Kushtetutë dhe ka një i ashtuquajtur ‘DepState’ jo si konspiracion por si kombinim i agjencive që hartojnë politika të larta ndërkombëtare dhe të cilat në radhë të parë kanë interesin vital nacional. Besoj se kontuiniteti i raporteve Kosovë-ShBA do të vazhdojë pasi mbështetet edhe në interesin e ShBA-së dhe gjithsesi të Kosovës. Nuk pres dridhje të madhe në kuptimin se tani do të kemi hakmarrje të dikujt ndaj dikujt. Nuk e besoj një logjikë të tillë në politikën e jashtme të ShBA-së”, thekson Koci.
Grenell ditë më parë, tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.
Në një postim në rrjetin X, Grenell shkroi se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”. Ai tha se “retorika e Kurtit (kryeministrit të Kosovës) duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit si president, Grenell ka shërbyer si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Edhe gjatë asaj kohe, Grenell e ka kritikuar publikisht Kurtin, duke e cilësuar si “antiamerikan”.
Richard Grenell ka marrë tani zyrtarisht detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urdhrin ekzekutiv e nënshkroi presidenti amerikan Donald Trump të hënën në mbrëmje, sipas kohës lokale në SHBA. Ai e lavdëroi Grenellin për rolin që pati në vendimin për shuarjen e zjarrit në Los Angeles.