Kryeministri Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka deklaruar se prokuroria është shndërruar në një parti opozitare, duke shtuar se pas 9 shkurtit prokurorët nuk do të kenë më punë. Sipas tij, prokuroria dhe partitë opozitare do të humbin zgjedhjet e ardhshme.
Deklaratat e Kurtit u komentuan nga avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se prokurorët nuk duhet t’i marrin këto kritika “ngatë zemrës.”
Ai ka theksuar se pavarësia e prokurorisë dhe gjyqtarëve duhet të respektohet.
“E ka thënë në konotacion politik që prokuroria, përafërsisht po e citoj, që po sillet si parti politike dhe nëse është parti politike atëherë aludimi është se do të humb zgjedhjet e 9 shkurtit. Kështu që deklarata vazhdon se më 10 shkurt s’kanë pse me ardh se nuk kanë punë. Është një deklaratë që Kurti e ka përsërit edhe më herët, vite më parë, e ka thënë shpesh për Gjykatën Kushtetuese. E cila sipas kryeministrit Kurti, që flet në cilësi të kryetari të LVV-së po i pengon proceset apo implementimet e ligjeve të cilat janë votuar, mirëpo një pjesë e tyre kanë shkruar në Kushtetuese dhe nuk po mund të implementohen.
Unë besoj që prokurorët nuk duhet t’i marrin ngatë zemrës shumë. Sigurisht që kanë të drejtë të reagojnë, është shoqata e prokurori, që reagimi është me vend. Mirëpo jo të qesin benzinë në diçka që gjithë e dimë që prokurat e gjyqtarët janë të pavarur në punën e tyre. Dhe punojnë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe nuk besoj që është diçka që do të duhej të shqetësohej”, ka thënë Gashi.