Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “Kosova do të fitojë nëse dimë të lidhemi shpejt me presidentin amerikan Donald Trump”.
Në një tubim elektoral në Shirokë të Suharekës, Haradinaj u shpreh se kjo mund të ndodhë nëse kjo parti vjen në pushtet.
Ai ka theksuar se me AAK në pushtet, Kosova do të hyjë shpejt edhe në NATO.
Haradinaj: Kosova fiton nëse dimë të lidhemi shpejt me presidentin Trump
“Qyteti që qeveris kaq mirë, qyteti i sukseseve, qyteti që është bërë model në komuna dhe na lavdërojnë anë e mbanë Kosovës, po, e meriton zgjidhjen e ujit përjetësisht, duhet të bëjmë, i keni njerëzit e zot, këta njerëz do të kryejnë këtë punë. Nuk mund të lëmë Suharekën pa e kryer shpejt në kohë stadiumin, është i nevojshëm, ka sportistë, klube, është detyrë e jona të kryejmë shpejt. Nuk mund të lemë qytetin pa ngrohje qendrore, do të realizojmë së bashku, po ashtu nuk mund t’i lemë të rinjtë pa bursa dhe pa status financiar, ata që nuk e kanë një vend pune derisa ta gjejnë. Kosova fiton, ju fitoni, dhe ne fitojmë nëse dimë të lidhemi shpejt me presidentin Trump, me administratën e re në Amerikë, nëse dimë të hyjmë shpejtë në NATO, ka përfitime të sigurisë, politike, por edhe ekonomike shumë. Nëse e humbim rrugën, do të na shkojë më vështirë dhe do të ketë momente jo të lehta për Kosovën”, theksoi Haradinaj.
Kujtojmë, fushata elektorale ka hyrë në javën e saj të fundit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.