DnV: Problemi me ngjyrën matrikuluese rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve

Aktuale

DnV: Problemi me ngjyrën matrikuluese rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 19:45
Ilustrim

Demokracia në Veprim nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për kualitetin e ngjyrës matrikuluese që do të përdoret në ditën e zgjedhjeve.

DnV tutje në komunikatë thekson se ndryshimi për herë të parë i metodës nga spreji i padukshëm dhe kontrolli i gishtërinjve me UV-llambë në përdorimin e lapsit/ngjyrës matrikuluese për të shenjëzuar gishtin e votuesit, nuk plotëson standardet.

“Sipas informatave që DnV ka pranuar nga burime brenda KQZ-së, lapsi/ngjyra matrikuluese që është pranuar javën e kaluar përmes procedurave tenderuese nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara. Sipas këtyre informatave, shenja e matrikulimit po qëndron në gisht pak kohë dhe e njëjta mund të fshihet lehtësisht. Kjo do të mund të cenonte seriozisht integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në reagim.

DnV ka kërkuar nga KQZ transparencë dhe informacione të plota për rastin, teksa ka kërkuar të ndërmerren veprimet konkrete dhe gjetja e zgjidhjes alternative për identifikimin e votuesve, nëse vërtetohet se ngjyra matrikuluese e pranuar përmes tenderit nuk përmbush standardet e cilësisë.

Sipas specifikave teknike të kërkuara nga KQZ-ja, ngjyra matrikuluese do të duhej të qëndronte e dukshme në gisht për të paktën 48 orë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat