​Hamza: S’ka rrugë tjetër përveç integrimit euroatlantik e partneritetit me SHBA-në

Aktuale

​Hamza: S’ka rrugë tjetër përveç integrimit euroatlantik e partneritetit me SHBA-në

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 21:41
Bedri Hamza

Zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përkrahje ndaj bizneseve, rritje të pagave për gjitha kategoritë, funksionalizim të sigurimeve shëndetësore, ishin disa prej premtimeve që bëri kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza.

Ai në tubimin elektoral në Fushë Kosovë theksoi se Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së integrimit në BE, NATO dhe partneritet strategjik me SHBA-në.

Ndërsa, kritika adresoi ndaj partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, në katër vjetët e fundit vendi është përballur me mungesë të rezultateve.

Siç tha ai, nuk ka asnjë projekt kapital domethënës që ka ndodhur brenda këtyre viteve.

Hamza: Nuk kemi rrugë tjetër, përveç integrimit në BE e NATO dhe partneritetit me SHBA

“Shëndetësinë, kemi nevojë që qytetarët tanë të keni përkujdesje shëndetësore, do të funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, do të investojmë në spitale gjithandej Kosovës, do të dyfishojmë buxhetin për barnat esenciale. 150 milionë euro në vjet për barnat esenciale, për të sëmurit me sëmundje të kancerit dhe sëmundje tjera kronike. Shëndetësia nuk është luks, është nevojë dhe ne do ta bëjmë. Projekte kapitale gjithandej Kosovës. Ne nuk shkojmë në qeveri të mësojmë, ne në qeveri shkojmë të punojmë dhe kryejmë punë. 6 miliardë euro investime në projektet e infrastrukturës rrugore, modernizmi të hekurudhave, furnizim me ujë dhe të tjera. Aq sa janë të rëndësishme projektet kapitale, aq janë të rëndësishme raportet tona me miq dhe partneret tanë strategjik. Ne nuk kemi rrugë tjetër, përveç rrugës së integrimit në BE, NATO dhe partneritet strategjik me SHBA-në”, tha Hamza.

Ai është zotuar se me PDK-në në pushtet, veteraneve të luftës do të iu njihet e drejta të punojnë dhe të mos ju ndalohet pensioni.

Hamza: Fokusi jonë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, ne do t’i përkrahim bizneset

“Fokusi jonë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, ne do t’i përkrahim bizneset, edhe me lehtësira tatimore, edhe me politika fiskale, edhe me lehtësim të qasjes në financa, grante e subvencione. Do t’i përkrahim bizneset për të reja e rinj, sepse punojnë për vete, familje, punësojnë njerëz, paguajnë tatime. Kur jemi tek standardi i jetesës, punë e kemi, nuk është bujari e bamirësi por detyrë shtetërore. Do t’i rrisim pensionet 70 për qind në fillim të mandatit, muajt e parë të qeverisjes, do të njohim përvojën e punës të viteve të 90-ta. Kur jemi tek familja, familjet e dëshmorëve, invalidë të luftës, veteranët, rritje për 50 për qind. Nuk do t’i detyrojmë që prindërit e dëshmorëve të zgjedhin mes pensionit të moshës apo të dëshmorit, do t’i marrin të dyja. Veteranëve do të iu njihet e drejta të punojnë dhe të mos ju ndalohet pensioni. Këto janë zotime që do të realizohen”, theksoi Hamza.

Hamza nënvizoi se derisa po afrohen në datën e zgjedhjeve, 9 shkurt, kjo parti është duke u rritur.

Ai bëri thirrje për mobilizim në ditët e fundit të fushatës.

Hamza: Standardi i jetesës është përkeqësuar, kjo gjendje duhet të ndryshohet

“Sa më shumë po afrohemi me datën 9 shkurt, karvani i PDK-së po rritet, energjia po rritet, pulsi po rritet dhe fitorja e PDK-së është e pashmangshme. Jemi këtu për një betim, për një mobilizim, për një garancë që PDK do të udhëheq Kosovën për katër vitet e ardhshme. Ne e duam shtetin pavarësisht a jemi pozitë apo në opozitë, sepse për ne Kosova është mbi të gjitha, e para, mirëpo katër viteve të fundit realisht jemi përballur me mungesë të rezultateve. Nuk ka asnjë projekt domethënës, kapital, që ka ndodhur brenda këtyre katër viteve. Janë rritur çmimet prej 40 deri në 100 për qind. Ju jeni dëshmitarë, edhe buka, vaji, mishi, energjia elektrike, të gjitha. Pagat, pensionet kanë mbetur në nivel të njëjtë. Standardi i jetesës është përkeqësuar, kjo gjendje duhet të ndryshohet”, shtoi Hamza.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat