​Lista Serbe sulmon kundërshtarët politikë serbë në Kosovë, partia e Jabllanoviqit: “Qentë” t’i mbajnë në zinxhirë

Aktuale

​Lista Serbe sulmon kundërshtarët politikë serbë në Kosovë, partia e Jabllanoviqit: “Qentë” t’i mbajnë në zinxhirë

Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 23:02
Aleksandar Jabllanoviq

Një anëtar i Listës Serbe ka sulmuar kandidatët dhe anëtarët e Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilës i prinë Aleksandar Jabllanoviq. Nga kjo parti kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur sot (e mërkurë) në Gracanicë, gjatë një takimi elektoral me qytetarë.

Sipas këtij njoftimi, sulmi erdhi nga Marko Arsiq, aktualisht drejtor në Komunën e Graçanicës dhe njëkohësisht pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe.

“Sot në Graçanicë në shtandin e Partisë së Serbëve të Kosovës janë sulmuar kandidatët dhe aktivistët e partisë sonë. Derisa ishin duke qëndruar të qetë në tribunë dhe duke biseduar me qytetarët, kandidati për Listën Serbe me numrin 29, Marko Arsiq (drejtor i Komunës së Graçanicës), sulmoi tribunën, duke grisur fletushka dhe duke thyer stilolapsa pa asnjë provokim, duke sharë partinë dhe anëtarët tanë”, thuhet në njoftim.

Kjo parti njofton se rasti është denoncuar në polici.

“Morëm garanci se kriminelët do të trajtoheshin sipas ligjit. Banditi i Listës Serbe iku si zakonisht, por jemi të sigurt se ligji dhe drejtësia së shpejti do të veprojnë”, thuhet në njoftimin e partisë së Jabllanoviqit.

“Kërkojmë nga zyrtarët e Listës Serbe që ‘qentë e tërbuar’ t’i mbajnë në zinxhir më të shkurtër sepse ‘lehin’ shumë”, thuhet po aty.

Lidhur me këtë rast, KosovaPress i është drejtuar Policisë së Kosovës porse ende nuk ka marrë përgjigje.

Sot, KosovaPress, duke u thirrë në burime të veta, ak raportuar se aparati shtetëror i Serbisë po intensifikon përpjekjet për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke përdorur teknologjitë më të avancuara të inteligjencës artificiale (AI).

Ndërkaq, para disa ditësh, në një konferencë të Institutit Octopus është thënë se Serbia përmes luftës hibride po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, përkatësisht se Serbia po e përdor Listën Serbe për destabilizimin e vendit tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat