PRISHTINË – Analisti Shkëlzen Gashi ka ngritur akuza të reja kundër ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke e lidhur atë me një përpjekje të përsëritur për të ndikuar në zgjedhjet në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Gashi rikujton një episod nga viti 2020, kur Grenell, sipas tij, kishte angazhuar djalin e Donald Trump-it për të publikuar një deklaratë në Twitter, duke kërcënuar me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Ky veprim, pretendon ai, u përdor si mjet presioni ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit.
Gashi citon gjithashtu një raport të Parlamentit Europian nga viti 2021, i cili e përshkruan këtë skenar si një shembull të ndikimit të aktorëve të huaj përmes dezinformimit dhe kërcënimeve të fabrikuara.
Sipas tij, situata po përsëritet edhe tani, ndërsa Kosova po i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Ai thekson se Grenell ka lëshuar një deklaratë kundër qeverisë Kurti dhe ka përfshirë sërish djalin e Trump-it për ta shpërndarë atë, me qëllim, sipas tij, për të pamundësuar rizgjedhjen e Kurtit.
Postimi i Gashit përfundon me një mesazh të drejtpërdrejtë për votuesit: “Më 9 shkurt 2025, populli i Kosovës duhet të tregojë se Serbia nuk kalon! No passaran!”
Këto deklarata pritet të shkaktojnë reagime të forta në debatin politik në Kosovë, ndërsa gara zgjedhore po intensifikohet.