PRIZREN – Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një tubim madhështor në qytetin historik të Prizrenit, ku ka prezantuar zotimet e tij për mandatin e ardhshëm.
Në një atmosferë entuziaste, mes qytetarëve të shumtë të mbledhur në shesh, Kurti theksoi se prioritetet kryesore të qeverisë së tij do të mbeten investimet në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe lehtësira fiskale për bizneset e vogla.
Zotimet kryesore të Kurtit në Prizren:
❤️ Infrastrukturë: Ndërtimi i Rrugës Prizren-Tetovë dhe Rrugës së Dukagjinit, e cila do të lidhë Prizrenin me Rahovecin, Gjakovën, Deçanin, Pejën dhe Istogun.
❤️ Shëndetësi: Investime në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe ndërtimi i një Poliklinike Specialiste në Sharr.
❤️ Arsim: Krijimi i 10 profileve të reja për Arsimin Dual dhe profilizimi i universiteteve publike.
❤️ Ekonomi: Rritja e pagës minimale mbi 500 euro, e cila nuk do të tatohet, duke sjellë një lehtësim për bizneset e vogla me lirimin nga tatimi deri në 6000 euro të para të fitimit vjetor.
Ky tubim shënon një moment kyç në fushatën zgjedhore të Vetëvendosjes, ndërsa zgjedhjet e 9 shkurtit po afrohen. Mbështetësit e partisë kanë pritur me ovacione zotimet e Kurtit, ndërsa ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për vazhdimësinë e reformave të nisura nga qeveria e tij.
Me Prizrenin si njërin nga bastionet tradicionale të VV-së, mbetet për t'u parë se si do të reflektojë ky entuziazëm në rezultatin zgjedhor.