Analisti, Selam Shkodra vlerëson se deklarata e emisarit për Misione të Posaçme të SHBA-së, Richard Grenell për kryeministrin Albin Kurti ka për qëllim pamundësimin e fitores së tij në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Shkodra ka thënë se kjo deklaratë e Richard Grenell tregon më së miri se ai ka inate personale me kryeministrin Kurti.
“Ky reagim vjen në kulmin e fushatës. Është një veprim i cili ka për qëllim drejtëpërdrejt me e pamundësu fitoren e Kurtit. Është e thjeshtë kjo, kushdo e di këtë, edhe ai vet e ka bërë në atë funksion. Për ta relativizuar se është individual apo është në emër të ShBA-së unë mendoj se nuk duhet të jem aq axhami për ta relativizuar, por për që ka inate personale Grenell me Kurtin flet më së miri ky postim”, ka thënë ai.
Emisari për “Misione të Posaçme”, Richard Grenell dy ditë më parë ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër kryeministrit Albin Kurti.
Sipas tij retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme.