Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se dje ka marrë një vendim për krijimin e Departamentit të Sigurisë Fizike.
“Në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të mbajtur më 5 shkurt 2025, është miratuar një vendim strategjik për krijimin e Departamentit të Sigurisë Fizike. Për më tepër, bazuar në planin afarist të vitit 2025, është hartuar skema organizative e këtij departamenti, e cila po ashtu është miratuar nga Bordi”, tha KEK në njoftim.
Korporata tha se ky vendim ka si qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të sigurimit, “duke pasur parasysh rëndësinë e objekteve të KEK për sigurinë energjetike dhe interesin vital të vendit”.
KEK tha se bordi ka udhëzuar menaxhmentin të fillojë me krijimin dhe funksionalizimin e këtij departamenti.
“Ky proces do të përfshijë hartimin e përshkrimeve të vendeve të punës, përcaktimin e kushteve dhe kritereve, si dhe rekrutimin e STAFIT TË RI. Ky proces do të realizohet me transparence të plotë dhe në përputhje me rregulloret e brendshme të korporatës dhe ligjeve në fuqi”.
KEK shtoi se “ky hap është një veprim i rëndësishëm për forcimin e sigurimit të objekteve të KEK dhe do të kontribuojë në një mbrojtje më të fortë dhe të qëndrueshme për asetet e korporatës, duke siguruar një mbrojtje më të avancuar për interesat energjetike të vendit”.