Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se në listat e subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë 16 kandidatë që kanë aktakuza aktive.
Një gjë të tillë, Kastrati e tha të enjten gjatë konferencës për medie ku koalicioni i OJQ-ve, IKD, FOL dhe INPO prezantuan raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”. Raport ky që paraqet analizën e listave të kandidatëve dhe programeve të subjekteve të licencuara për zgjedhjet e përgjithshme 2025.
Kastrati tha se në mesin e këtyre 16 kandidatëve, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.
Kështu, sipas tij, numri total i aktakuzave aktive ndaj këtyre kandidatëve shkon në 20.
Përderisa, tha se numri total i veprave penale shkon në 21.
Kastrati se veprat penale të cilat u vihen në barrë këtyre kandidatëve, janë të natyrave të ndryshme.
Përveç atyre të natyrës korruptive, si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në mesin e veprave penale, Kastrati tha se janë edhe katër lloje tjera të veprave penale.
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, theksoi Kastrati.
Si vepra që paraqitet më së shumti në aktakuzat e ngritura ndaj këtyre kandidatëve, Kastrati tha se është “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, konkretisht në nëntë raste.
Sipas saj, më pas vie vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në gjashtë raste, pastaj “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në pesë raste.
Përderisa tha se veprat penale “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, paraqiten në nga një rast.
Kastrati tha se tetë prej këtyre kandidatëve i përkasin subjektit LVV, shtatë koalicionit AAK – NISMA dhe një LDK-së.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres INPO, me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund, të enjten gjatë një konferencë për medie kanë publikuar raportin: Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë: (Zgjedhjet Parlamentare 2025: Analizë e listave të kandidatëve dhe programeve politike). /BetimipërDrejtësi