Nisin hetimet ndaj ambasadorit Berishaj për dyshime rreth transportimit të votave, prokuroria del me njoftim

Aktuale

Nisin hetimet ndaj ambasadorit Berishaj për dyshime rreth transportimit të votave, prokuroria del me njoftim

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 18:13
Martin Berishaj

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të ambasadorit Martin Berishaj rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Kosovës në diasporë, ndërkohë nga KQZ thonë se do të shikojnë nëse një gjë e tillë është bërë sipas akteve nënligjore, pas së cilës edhe do të marrin vendim meritor.

Gjatë ditës u raportua se në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.

Sipas raportimit, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku ai drejton misionin diplomatik.

Në reagimin e saj, Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se do të shikojë nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve.

Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.

"Prokuroria Themelore në Prishtinë në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve lidhur me keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës se transportimit të votimeve të qytetareve të Republikës së Kosovës në diasporë, për cka Prokurori i Shtetit filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi. Prokurori i shtetit në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor", thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove është bërë sipas akteve nënligjore dhe se KQZ do të merr vendim meritor.

“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, ka thënë Elezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat