Kosovë, fushata e subjekteve politike serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Aktuale

Kosovë, fushata e subjekteve politike serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Gjashtë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, fushata e të cilëve po përshkohet me akuza të ndërsjella lidhur me përgjegjësinë për situatën në të cilën ndodhen qytetarët serbë.

Analistët serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se kësaj radhe po vërehet një pluralizëm më i madh demokratik.

“Më parë kishte dy tre parti dhe në mesin e atyre kishte disa parti shumë të vogla, pak të përziera në ciklin e kaluar zgjedhor. Tani kemi parti më serioze me më shumë kandidatë, me 13, 10, 40 kandidatë nga komuniteti serb, shohim kabina në gjithë Kosovën, e shohim në rrjetet sociale, që është, më lejoni të them, një lloj standardi botëror dhe standard evropian, kanë edhe videoklipe, përveç posterëve. Pra është shumë ndryshe”, tha Dushan Radakoviç, bashkërendues rajonal i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Zoti Radakoviç thotë se partitë serbe megjithatë duket se nuk kanë ndonjë program konkret.

“Në fushatë më shumë kemi akuza për njërin dhe tjetrin për korrupsion, për nepotizëm, për punësim, për manipulim votash, për përdorim të medias dhe vendosjen e posterëve në vende të palejuara”, tha ai.

“Por ajo që kemi dëgjuar deri më tani dhe kemi parë në fushatën zgjedhore është se nuk ka programe dhe zotime të qarta, se cila parti mund të përmbushë, natyrisht nëse do të jetë pjesë e e parlamentit të ardhshëm të Kosovës. Ajo që ishte dominuese në fushatë ishin akuzat ndaj njëri tjetrit për disa mundësi të humbura të para disa viteve, kjo në fakt ishte më shumë në mënyrën se si u tha dhe u shpjegua disa herë në publik nga partitë opozitare”, tha Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV me seli në veri të Mitrovicës.

Në mesin subjekteve serbe që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit është edhe Lista Serbe, partia kryesore që mbështetët nga autoritetet në Beograd. Lista Serbe për vite me radhë ka fituar shumicën e deputetëve në Parlamentin e Kosovës, të cilat i takojnë komunitetit serb.

Në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të mospajtimit të tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të qeverisë qendrore për heqjen e targave të makinave të lëshuara nga Serbia dhe zëvedësimin e tyre me targa të Kosovës. Tensionet në veri u shtuan pasi kryetarët shqiptarë morën pushtetin lokal në komunat veriore pas bojkotimit të zgjedhjeve të parakohshme nga partirë serbe.

Lista Serbe në fushatën e këtij viti po kërkon votat e serbëve të Kosovës për t’i fituar dhjetë mandate në parlamentin e Kosovës. Por partitë tjera serbe e akuzojnë Listën Serbe si fajtore për situatën aktuale për shkak të largimit nga institucionet e Kosovës.

Vëzhguesit thonë se Lista Serbe kësaj radhe e ka të vështirë t’i fitojë të gjitha 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës, pas vendimeve të vitit 2022 për daljen nga institucionet e Kosovës.

“Vlerësimi im është se do të mund t’i ketë shtatë vende dhe partitë e tjera, në radhë të parë mendoj për Listën për liri, drejtësi dhe mbijetesë dhe Demokracinë Serbe, që mund të fitojnë një ose dy mandate. Këto janë disa vlerësime që ne nuk i bëjmë konkretisht përmes disa analizave, por përmes bisedave me qytetarët”, tha zoti Dushan Radakoviç.

“Por në fund të fundit, kur të përfundojnë diskutimet paszgjedhore, ndoshta do të ndodhë që shumica e këtyre votave do të vazhdojnë të shkojnë në Listën Serbe. Për shumë arsye dhe janë shumë të njohura. Kjo për shkak të mbështetjes së madhe të Republikës e Serbisë, sigurisht edhe një mbështetjeje të madhe të mediave të rëndësishme si në Serbi ashtu edhe të atyre që e shohin Listën Serbe favorite. Pra, pritet që shumica e votave të shkojë për Listën Serbe dhe pjesa tjetër do të shpërndahet mes tri partive më të forta opozitare”, tha Miodrag Miliçeviç.

Serbët etnikë përbëjnë rreth 2.3 për qind të popullsisë 1.6 milionëshe të Kosovës, sipas regjistrimit të vitit 2024, që u bojkotua në masë të madhe në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas thirrjeve të Listës Serbe./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat