Sa qytetarë në Kosovë do të votojnë më 9 shkurt?

Aktuale

Sa qytetarë në Kosovë do të votojnë më 9 shkurt?

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, nga 2 milionë e 47 mijë e 295 qytetarë, në Republikën e Kosovës janë 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

Nga 1.6 milion banorë prej regjistrimit të fundit të popullsisë, numri i qytetarëve mbi 18 vjeç në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë është 1 milion e 179 mijë e 73. Qe i bie se 868,224 qytetarë me të drejtë vote janë me qëndrim jashtë vendit.

Nga këta 868,224 qytetarë me të drejtë vote, vetëm 104 mijë 924 apo 12.08% janë regjistruar për votim.

Megjithatë, përveç kësaj grup moshe në vend, nga ASK nuk kanë ende të dhëna zyrtare për numrin e banorëve mbi 18 vjeç të regjistruar së fundmi në diasporë.

“Sa i përket të dhënave të diasporës, këto të dhëna janë në fazën e verifikimit dhe pastrimit dhe nuk janë të gatshme për t'u publikuar”, thuhet në përgjigjen e ASK-së përmes emailit.

Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Kosovës kanë thënë se numri i përgjithshëm për numrin e banorëve me të drejt vote në Kosovë dhe diasporë kanë marrë nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC).

Edhe nga ARC-ja kanë thënë se numri i përgjithshëm është 2 milionë e 47 mijë e 295, pa ndarë atë të diasporës.

“Numri i qytetarëve që i kanë 18 vjeç dhe që i mbushin 18 vjeç me datën 09.02.2025, pra që ua kemi dërguar KQZ-së është 2047295”, thonë nga ARC-ja në kuadër të MPB-së.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu potencon rëndësinë e azhurnimit të listave zgjedhore dhe pastrimit të regjistrit civil për të pasur informacione të sakta lidhur me numrin e qytetarëve të regjistruar, si ata që jetojnë brenda vendit ashtu edhe ata në diasporë.

“Prandaj, këto faktorë, mbi të gjitha mos përditësimi i listave edhe me listën zgjedhore që e merr KQZ-ja nga ARC-ja, e që shërben për të votuar nuk është e spastruar. Spastrimi i regjistrit civil, azhurnimi real me gjendjen çfarë e kemi në terren dhe në diasporë, sa kemi këtu sa në diasporë, gjithsesi shkakton këtë disproporcion, këtë shpërputhje në mes të institucioneve, pra ARC-ja, ASK-ja, KQZ-ja, lista e votuesve", potencon Baraliu.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë po ashtu se mos përditësimi i mjaftueshëm i listave në regjistrin civil në nivel qendror e lokal dhe emigrimi, janë ndër faktorët që ndikojnë në mospërputhjen e numrit të banorëve në ARC dhe ASK.

"ARC-ja është institucion i ri, nuk është i konsoliduar ende dhe po ashtu Qendrat e Regjistrimit Civil nëpër komuna nuk janë të përditësuara mjaftueshëm me numrin e atyre të cilët ndërrojnë jetë, për t'i paraqitur si të tillë që nuk ekzistojnë dhe nuk realizojnë as të drejtat në pension, as të drejtën për të votuar, pra nuk mund të jenë votues. Faktori kryesor është se listat në regjistrin civil edhe në të gjitha evidencat përkatëse në nivel qendror dhe lokal nuk janë të përditësuara me gjendjen reale që kemi. Faktori i dytë është emigrimi. Një emigrim i jashtëzakonshëm që ka ndodhur këto vite. Me qindra mijëra njerëz në 2015-ën e këndej sidomos por edhe më herët që prej pasluftës dhe të tillët janë në regjistër civil. Pastaj, në Serbi që kanë kaluar po ashtu si qytetar të cilët kanë të drejtë vote. Ndërkohë, që në regjistrimin e popullsisë ka pasur kritere të tjera dhe del një numër tjetër”, thotë Baraliu.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi thotë se me rritjen e mundësive për votim, pritet që më shumë se 75 për qind e atyre që janë të regjistruar nga diaspora të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

"Për zgjedhjet e Kosovës të datës 9 shkurt nga diaspora janë regjistruar mbi 100 mijë persona për të votuar, qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit fizik të misioneve diplomatike. Votimi fizik do të mbahet me datën 8 shkurt, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë . Ndërsa, votimi përmes postës ka nisur më 9 janar dhe do të përfundojë deri më 10 shkurt. Deri më tani, nga informacionet që i kemi nga KQZ-ja, mbi 40 mijë persona kanë dërguar fletëvotimet përmes postës në kutitë postare të përcaktuara nga KQZ në shtete të ndryshme jashtë vendit. Por, gjithashtu edhe në adresën postare të KQZ-së në Kosovë dhe kësaj radhe për shkak të shtimit të mundësive nga diaspora, pritet që numri në përqindje i atyre që janë regjistruar për votim të jetë më i madh në krahasim me zgjedhjet e kaluara, i cili ka qenë diku më pak se 60 për qind. Në këto zgjedhje pritet të votojnë më shumë se 70 apo 75 për qind e atyre që janë të regjistruar paraprakisht për të votuar nga diaspora”, thotë Krasniqi.

Më 4 shkurt në KQZ janë sjellë 36 mijë e 500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.

Kjo periudhë e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.

Po ashtu, edhe fletëvotimet për votim në Kosovë tashmë janë gati.

Në total, sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, e prej tyre ndahen në ato të rregullta, me kusht, për votimin e personave me nevojave të veçanta, por edhe ato rezervë, si dhe për votimin në përfaqësi diplomatike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat