Partitë serbe në Kosovë që garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë ofruar program për komunitetin serb, ndërsa ka edhe ankesa për tentim të blerjeve të votave, thotë koordinatori i koalicionit të organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’ për rajonin e veriut, Dushan Radakoviq.
Në një intervistë për KosovaPress, Rakoviq, i cili është edhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike në veri të Mitrovicës thotë po ashtu se partitë serbe më shumë kanë komentuar deklaratat e udhëheqësve shtetërorë në Kosovë e Serbi, sesa që janë marrë me problemet e qytetarëve nga radhët e këtij komuniteti.
Radakoviq: Partitë serbe nuk kandë diskutuar për programin
“Deri në tridhjetë (aktivitete të subjekteve politike kemi përcjell deri tani)… Interesante është se partitë nuk kanë diskutuar diçka për programin dhe prioritetet e tyre, më shumë kanë folur për korrupsionin e të tjerëve… Kanë diskutuar për largimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, çka ka thënë Kurti e çka Vuçiq, por s’ka konkrete diçka p.sh. çka është planifikuar për koalicionet e mundshme… cili është programi i tyre për minoritete, për komunitetin serb… Më shumë aktivitete janë organizuar në objekte publike, rreth 75 përqind…ndërsa takimet e vogla janë mbajtur nëpër shtëpi, fshatra”, thotë Radakoviq.
Aiflet edhe për ankesat e partisë “Demokracia serbe”, e cila ka akuzuar subjektet tjera për heqjen e posterëve të tyre dhe përgatitjen e blerjes së votave në ditën e zgjedhjeve.
Një incident mes subjekteve serbe ka ndodhur para dy ditësh në Graçanicë. Partia e serbëve të Kosovës është penguar gjatë një tubimi me qytetarë nga një kandidat i Listës Serbe për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, Radakoviq pret që të dielën (9 shkurt), do të ketë proces të qetë zgjedhor dhe pa incidente.
Radakoviq: Ka ankesa për përgatitje të blerjeve të votave
“Jo, deri tani nuk ka pasur (incidente ose pengim të mediave, ojq-ve) në përjashtim të Garancisë… Demokracia serbe ka lajmëruar dy herë raste kur persona të panjohur kanë hequr posteret e tyre... Ka ankesa nga partia Demokracia serbe ndaj SPO-së [Sloboda, pravda, opstanak] për përgatitje të blerjes së votave, dhe të dyja këto raste janë në polici, ndërsa tjetër gjë konkrete ose ndonjë incident deri tani nuk kemi… Definitivisht jo (nuk pres incidente në ditën e zgjedhjeve), kamerat janë, mundet me pas ndonjë problem teknik bie fjala rreth ngjyrës ose të ngjashme”, thotë Radakoviq.
Ai jep edhe hollësi për mënyrën e organizimit të aktiviteteve zgjedhore të partive serbe. Thotë se nuk kanë evidentuar raste të përdorimit të fmëijëve në fushatë.
Radakoviq: Kampanja më shumë zhvillohet përmes rrjeteve sociale
“Lista serbe ka organizuar tubime në qendra të kulturës ose në fakultete në veri të Mitrovicës… Më së shumti pjesëmarrës ka pasur Lista Serbe në këto takime, 1 mijë deri 1 mijë e 200, ka pasur tubime me 500-600 pjesëmarrës, ka pasur tubime të vogla me 20-25 persona nëpër shtëpi private ose në fshatra… Unë jam duke monitoruar shumë çështjen e nxënësve ose fëmijëve në fushata, automjetet zyrtare… nuk ka fëmijë të angazhuar në kampanjë… Në veri deri tani nuk ka diçka konkrete ose ankesa për këtë (nxitje ose gjuhë të urrejtjes nëpër tubime)… 80 për qind e partive serbe në veri më shumë trajtojnë nëpër tubime temën e largimit të institucioneve paralele serbe në veri, pastaj zgjedhjen e kryetarëve të komunave me 75-100 vota… Interesant është se kampanja më shumë zhvillohet përmes rrjeteve sociale, Facebook, Instagram, tjetër, dhe këto nuk janë harxhime të kushtueshme”, thotë ai.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë gjashtë subjekte politike nga komuniteti serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Iniciativa Qytetare për Drejtësi Popullore.