Çfarë ndodhi në seancën për rastin KEK 2, ku i akuzar është edhe Nagip Krasniqi

Aktuale

Çfarë ndodhi në seancën për rastin KEK 2, ku i akuzar është edhe Nagip Krasniqi

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 15:57
Nagip Krasniqi

Përpara gjykatores, u bënë bashkë ish kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish u.d i drejtorit të prokurimit, Ymer Dragusha, dhe përfaqësuesi i kompanisë “Rexhep Zeqir Zejna L.L.C”.

Kjo treshe, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohet se buxhetit të shtetit i shkaktuan dëm rreth 37 milionë euro.

“I pandehuri, Nagip Krasniqi përkundër faktit se ishte njoftuar në raportin e komisionit vlerësues se operatori ekonomik në fjalë,  nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderit, përmes email e konfirmon pranimin e kushteve të operatorëve ekonomik “Litëin S.A” të paraqitura përmes email me datë 25.01.2023, e urdhëron të pandehurin, Ymer Dragusha që të nënshkruaj kontratën”, tha Fikrije Fejzullahu, prokurore e rastit

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurorja ka dhënë detaje për zbulimin e fshehtësisë zyrare nga ana e Krasniqit me Dejona Mihailin, si person jo zyrtar, ku pretendohet se janë ndarë informacione në lidhje me procedura të prokurimit që po zhvilloheshin në KEK.

“Gjatë komunikimeve në rrjetin social Whats App me zonjën Mihaili, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it, sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022, ne mes të KEK dhe KESH”, tha prokurorja e rastit.

Por, Krasniqi e Zejna mohuan fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi ta.

“Plotësisht i pafajshëm në të gjitha pikat”, u deklarua Krasniqi, ish-kryeshef nw KEK

“Nuk e pranoj fajësinë”, tha Zejna përfaqësues i kompanisë “REXHEP ZEQIR ZEJNA L.L.C”

I akuzuari tjetër në këtë rast, Ymer Dragusha, ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorinë.

“Në mënyrë vullnetare, pa presion nga askush dhe me vetdëshirë”, tha avokatja e tij, Sabrije Krasniqi

Palët janë pajtuar edhe me lartësinë e dënimit.

“Me dënim unik është llogaritur dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh”, u shpreh prokuroja Fejzullahu.

Mirëpo, ky dënim sipas marrëveshjes nuk do të ekzekutohet nëse Dragusha do t’i plotësojë detyrimet nga marrëveshja e statusit të tij si dëshmitar bashkëpunues, se për periudhën dy vjeçare nuk kryen ndonjë vepër penale, si dhe pagesa e detyrimeve gjyqësore.

Vendimi i Gjykatës për Dragushën, u la që të bëhet më vonë.

“Shtyhet shpallja e aktgjykimit në çështjen penale deri në përfundim të kësaj çështje penale në tërësi”, tha gjykatwsi, Rrahman Beqiri.

Përpos “Zbulimit të fshehtësisë zyrtare”, Krasniqi akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Kurse për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre, akuzohet Isuf Zejna.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat