Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica deklaroi se nuk dihen shkaqet e zjarrit në ish-objektin e “Kino ABC”. Ai tha për mediat se objektet afër nuk janë të rrezikuara dhe bëri të ditur se aty ka pasur shumë mbeturina.
Për momentin rruga “Migjeni” ku ndodhet ish objekti i kinemasë është e bllokuar nga Policia e Kosovës. Ekipet profesionale të zjarrfikësve janë ende duke tentuar ta ndalojnë zjarrin.
Fushtica: Ka pasur shumë mbeturina në këtë objekt
“Informacionet e para që i kemi, rasti ka filluar diku nga ora 15:30, me të marrë informatën janë dalë të gjithë njësitë në vend. Për momentin siç po e shihni jemi duke intervenuar duke filluar të lokalizojmë zjarrin. Për shkaqe është shumë herët të flitet. Ka pasur shumë mbeturina, është objekt që është në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtje të institutit. Jemi duke i bërë të gjitha që sa më shpejt ta sanojmë zjarrin, ndërsa sa i përket hetimeve dhe çfarë ka ndodhur atëherë ekipet e hetuesve edhe të policisë edhe të zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes. Si ta lokalizojmë zjarrin do të fillojmë edhe me hetim”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se materiali i kulmit është i azbestit dhe se kanë rritur perimetrin e sigurisë për të evituar lëndimet.
Fushtica: Për momentin nuk rrezikohet asnjë ndërtesë
“Nuk kemi takuar ndonjë person, e kemi shikuar tërë objektin, objekti për momentin është i zbrazët janë duke intervenuar të gjitha ekipet dhe jemi duke pritur që sa më shpejt të lokalizohet...Për momentin nuk rrezikohet asnjë ndërtesë. Jemi duke monitoruar, i kemi njoftuar banorët që të jenë në gjendje gatishmërie në rast se kemi nevojë për evakuim por për momentin nuk kemi nevojë... Është kulmi që është azbest por ka edhe shumë mbeturina. Mbeturinat janë të shumta që kanë qenë në këtë hapësirë, kështu që duhet të kemi kujdes për atë edhe kemi rritur perimetrin e sigurisë për shkak se materiali që është aty mund të shpërthejnë dhe mund të lëndojnë edhe ndonjë kalimtar të rastit”, shtoi ai.
Policia e Kosovës ka mbyllur rrugën ‘Migjeni’, për shkak të zjarrit që kaploi kulmin e një objekti në këtë rrugë.