Gjendja në sistemin arsimor në Kosovë vazhdon të nxisë debate e pakënaqësi mes premtimesh elektorale për modernizimin dhe reformimin e tij për ta bërë atë gjithëpërfshirës dhe për ta organizuar në pajtim me nevojat e tregut të punës.
“Klasët e mësimit do t’i pajisim me tabela digjitale smart boards, do të shtrijmë internetin brezgjerë me shpejtësi të lartë edhe në një mijë institucione të arsimit parauniversitar së bashku me qasjen falas në internet”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një tubimi të lëvizjes Vetëvendosje.
“Nga sistemi i deritanishëm mësimor për fëmijët e të rriturit ne do të kalojmë në një sistem shkollor gjithëditor duke ofruar aktivitete jashtëshkollore dhe mbështetje gjithëpërfshirëse për nxënësit gjatë gjithë ditës”, tha kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza gjatë një tubimi.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të sigurojë mësim gjithëditor, ushqime të ngrohta, klasë moderne, tabela digjitale e mësimnxënie moderne”, tha gjatë një tubimi kandidati për kryemininstër i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
“Ne e çmojmë nderin e mësimdhënësit, besimin e prindërve që ua besojnë fëmijët mësimdhënësve. I duam fëmijët e të rinjtë tonë të zot e të qëndrojnë në Kosovë, e jo si punëtorë për tregje të huaja”, tha kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një tubimi.
Por, ekspertë të arsimit me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se zotimet e kandidatëve politik janë përsëritje premtimesh të vjetra që nuk janë zbatuar.
“Unë rikujtoj se të njëjtat që janë paraqitur si premtime elektorale ne i kemi të paraqitura si objektiva strategjike në planin strategjik të arsimit. Pra këto vetëm janë të dokumentuara, janë aktivitete dhe objektiva specifike mirëpo në mungesë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë ato dështojnë së zbatuari. Të njëjtat kanë qenë pjesë e premtimeve edhe në zgjedhjet e mëparshme por shumë pak prej tyre janë kthyer në ndryshim ose reforma substanciale që të sjellin atë ndryshimin e duhur”, thotë Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard që vëzhgon sistemin arsimor në vend.
“Mendoj se të gjitha këto e kanë një problem që këto intervenime të cilat sjellin shpenzime më të mëdha në investime dhe buxhetore nuk janë të planifikuara sa duhet, shihet se nuk janë të elaboruara sa duhet dhe nuk e shoh se partitë janë të ndërgjegjshme për peshën e këtyre investimeve. Konsideroj se edhe nga ajo që ka ndodhur më herët nuk janë realizuar shumica e premtimeve më të mëdha të partive politike nëpër fushata zgjedhore”, thotë eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.
Zoti Rexhaj vlerëson se premtimet e partive politike për arsimin këtë herë janë më reale sesa vitet e kaluara, por se janë më të mëdha sesa mundësitë e Kosovës.
“Në këtë kontekst do të doja ta përmend për shembull që të gjitha premtojnë pesë deri në gjashtë për qind të investimeve në arsim, unë do të doja që më në fund një herë kjo të bëhet e vërtetë. Sepse në vitin e kaluar përqindja ka qenë 3.2 ndërkaq sivjet është bërë 5 për qind, nëse bëhet 5 për qind prej vitit tjetër do të ishte një mrekulli”, thotë ai.
Zoti Qehaja thotë se zotimet duhet të përcillen me hapa dhe ide konkrete për realizimin e tyre.
“Shumë flitet për ndërtim të kopshteve të reja dhe kjo vetëm është në epiqendër të debatit të fundit elektoral mirëpo shumë pak flitet se sa në ngecje janë edhe kopshtet aktuale që janë dhe sa domosdoshmëri është rritja e përgjegjësisë, investimeve dhe përkrahjes për gjithë sistemin parashkollor në përgjithësi, të kufizuar jo vetëm në ndërtim të çerdheve”, thotë ai.
Zotimet për digjitalizim të sistemit janë të realizueshme thotë zoti Qehaja, por ky është një proces që kërkon shumë kohë dhe përkushtim të qëndrueshëm institucional.
“Pikë së pari duhet të furnizohen të gjitha shkollat dhe institucionet arsimore me qasje në internet, mësimdhënësit duhet të kenë pajisje teknologjike, mësimdhënësit duhet të kenë kompetencë profesionale për ta përfshirë digjitalizimin në mësimdhënie dhe e e fundit padyshim është pajisja e nxënësve me mjete digjitale. Pra të gjitha këto së bashku mund të kompletojnë eventualisht eksperiencën e të mësuarit digjital që po them është i domosdoshëm pasi që këto grupmosha në përditshmëri i ekspozohen përmbajtjeve digjitale në smartfonët e tyre mirëpo ballafaqohen me mësimdhënie tradicionale në kalsët edhe mësimnxënien e tyre”, thotë ai.
Për përmbushjen e zotimeve mbi përmirësimin e planprogrameve mësimore, zoti Rexhaj thotë se është e domosdoshme të themelohet Agjencia për Kurrikula Standarde dhe Vlerësim, siç e parasheh ligji për arsimin parauniversitar.
“Mendoj se kurrikulat janë problem në Kosovë dhe konsideroj se kushdo që të merret me arsimin duhet t’i qaset problemit të kurrikalave”, thotë ai.
Cilado që të jetë qeveria e re, ndër veprimet që duhet të ndërmarrë me urgjencë sipas ekspertëve, janë mbështetja e mësimdhënësve për metodologji më të përditësuar të mësimdhënies si dhe rishikim të planprogrameve mësimore për të garantuar përmirësim të prekshëm të cilësisë së arsimit në vend.
Programi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, i njohr si PISA, në vitet 2015, 2018 dhe 2022 e radhiti Kosovën gati në fund të listës prej 79 shtetesh duke treguar një rënie shqetësuese të njohurive të nxënësve të Kosovës në matematikë, lexim dhe shkencë