Ish-presidentit Hashim Thaçi i është refuzuar kërkesa për ta vizituar babanë e tij të sëmurë në Prishtinë.
Kështu ka njoftuar avokati i tij, Luka Mishetiq.
Ndërsa avokati, Ardian Bajraktari, vlerëson se një kërkesë e tillë është dashur të aprovohet, por shprehet optimist se Gjykata Speciale do ta rishikojë vendimin dhe do ta korrigjojë.
“Vlerësoj që Gjykata Speciale në instancat tjera do ta rishikojë një vendim të tillë, përkatësisht do ta korrigjojë për shkak se për një kërkesë – për lirim të përkohshëm ka bazë dhe mbështetje në rregulloren dhe procedurës dhe provave”, tha ai në emisionin “Ditari”.
Ndërkohë, ai tha se më parë në raste të tilla kërkesa është aprovuar.
“Sa i përket rasteve të tilla, ka pasur raste kur janë aprovuar kërkesat për vizita, prandaj vlerësoj që mosaprovimi i një vizite të tillë kur kihet parasysh rrethanat e rastit konkret. Prindi i zotrit Thaçi është në moshë të shtyrë dhe u raportua se gjendja e tij shëndetësore nuk është edhe aq e mirë, prandaj vlerësoj që të gjitha këto çështje e bëjnë të besueshme dhe madje kërkesa është humane”, tha ai.
Prokuroria e Specializuar, përmes një përgjigje me shkrim për “Betimin për Drejtësi” thënë se kërkesa e Thaçit ishte bërë me 28 janar 2025 dhe se atëherë gjendja e babait të ish-presidentit nuk ishte ajo që po raportohet tani në media.
“Në kohën kur kërkesat e zotit Thaçi u bënë më 28 janar, pothuajse dy javë më parë, siç pasqyrohet në kërkesat, rrethanat e babait të zotit Thaçi ishin të ndryshme atëherë çfarë raportohet në media sot”, thuhet në përgjigjen e DhSK-së.
Lidhur me çështje specifike se pse nuk është lejuar Thaçi të vijë në vizitë në Kosovë, nuk kanë folur nga Specialja.
Megjithatë atë thonë që deri më tani janë lejuar 12 vizita humanitare në Kosovë duke përfshirë dy të Thaçit.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.