Një ditë para përmbylljes së fushatës, Koalicioni AAK - Nisma - Konservatorët - Forumi Intelektual E30 – Ideal mbajti tubim zgjedhor me qytetarët e Gjakovës.
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj ka shprehur besimin se partia aktuale në pushtet do të shkojë në shtëpi më 9 shkurt, pasi ajo ka dështuar në realizimin e projekteve vitale për qytetarët.
Ai tha se nën qeverisjen e tij brenda gjashtë muajve do ta përfundojnë rrugën Dollç – Gjakovë. Në listën e premtimeve për Gjakovën, Haradinaj përmendi edhe aeroportin për fluturime civile dhe komerciale.
Haradinaj: Do ta përfundojmë rrugën Dollc-Gjakovë
“Do ta përfundojmë këtë rrugë, në gjashtë mujorin e parë, ditë m’ditë. Ne jemi me shumë fat që e kemi “Rrugën e Kombit”, por ju e dini që edhe hekurudha Prishtinë-Durrës e do e kryejmë edhe këtë hekurudhë”, tha ai.
Sipas Haradinajt, lista e punëve me të cilat Kosova ka humbur shkaktar kryesor është qeveria Kurti. Ai tregoi se gjatë vizitës në SHBA u pyet se pse “Kurti nuk është në linjë me ne.”
Kryetari i NISMA, njëherësh kandidat për deputet Fatmir Limaj, gjatë fjalimit të tij e quajti “ngatërrimtar”, kryeministrin Kurti.
Limaj tha se Kurti ka mashtruar për katër vjet qeverisje dhe ka ofenduar qytetarët e Gjakovës duke mos realizuar projekte të rëndësishme komunale.
Limaj: Ky njeri e ka ofenduar Gjakovën
“Edhe ju në Gjakovë keni shumë arsye për tu ndier të ofenduar e të fyer, të mashtruar për 4 vite. Ai nuk e ka mbështetur komunën e as kryetarin tuaj. Ky njeri e ka ofenduar Gjakovën e ka gërvishtur plagët e Gjakovës... Erdh në Gjakovë e u premtoi se nuk flas me Serbinë pa i kthyer trupat e të pa gjeturve. Premtoi zbritje të çmimeve, a Kosova asnjëherë nuk i ka pasur më shtrenjtë çmimet, premtoi shumë e nuk i realizoj”, deklaroi Limaj.
Ai ftoi qytetarët që të dielën t’u thonë jo mashtrimeve të qeverisjes Vetëvendosje.
Tubimi përmbyllës i Koalicioni AAK - Nisma - Konservatorët - Forumi Intelektual E30 – Ideal, do mbahet nesër në qytetin e Pejës.