Që Albin Kurti nuk është i preferuari i Richard Grenellit nuk është risi.
Kritikat e emisarit për Misione të Posaçme të SHBA-së, po vazhdojnë e po ashpërsohen.
Grenelli nuk u pajtua me Kurtin, i cili po insiston se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se gjatë qeverisjes së tij.
Emisari amerikan Kurtin e ka quajtur delirant, që fjalori shqip e shpjegon si person që flet përçart e jahtë realitetit.
Për Emisarin amerikan një profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit në Londër, mendon se është kontrovers, dhe një nga njerëzit më jo kompetent në historinë e diplomacisë amerikane.
“Raportet e tij me Albin Kurtin kanë qenë toxike për shumë vite, dhe Grenell është i obsesionuar me Kurtin. Dhe sulmet e fundit të tij po ndodhin për shkak se ai dhe disa njerëz tjerë në administratën Trump dështuan ta përmbysin karrierën e Kurtit”, ka thënë Hehir.
Hehir thotë se përgjigja ndaj këtij plani ishte fitorja e mbi 50% të votave nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti në vitin 2021.
“Raportet e tij me Serbinë kanë ardhur në shprehje shumë herë. Ai (Grenelli) ka marrëdhënie shumë të ngushta me Vuçiqin. Dhe nga shumë njerëz ai shihet si shumë u kompremetuar nga ky raport me Vuçiqin. Por gjithashtu ka raporte të ngushta me disa nga garda e vjetër në Kosovë, me njerëz si Thaçi, të cilin do ta shihte si partner, me të cilin do të ishte i aftë të sjellë një lloje “paqe të ftohtë” dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor…”, ka shtuar Hehir.
Hehir mendon se marrëveshja e Uashingtonit përmbajtësisht nuk kishte të bënte asgjë me realitetet në Kosovë dhe Serbi, ndërsa mendon se disa vende perëndimore për ta ofruar Serbinë me perëndimin sollën izolim për Kosovën, e cila e udhëhequr nga Kurti ishte kundër kësaj, kundër regjimit të Vuçiqit dhe kundër strukturave paralele të instaluara në Kosovë.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Londër, vlerëson se gjuha dhe sjellja e Grenellit është jodiplomatike dhe turpërim për SHBA-në.