Albin Kurti:100 euro shtesë për gjyshërit që kujdesen për nipërit gjatë punës së prindërve

Aktuale

Albin Kurti:100 euro shtesë për gjyshërit që kujdesen për nipërit gjatë punës së prindërve

Nga: Bota sot Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 00:08
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti sonte një tubim në Prishtinë.

Kurti përmes Facebook-it ka prezantuar pikat kyqe për të cilat ka folur në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore.

Ndër premtimet kryesore janë 1 miliard euro për prodhimtarinë, mbi 1 miliard euro për ushtrinë, krijimi i valutës digjitale, investime në rrugë dhe hekurudha, si dhe mbështetje për familjet dhe pensionistët.

Postimi i plotë:

Nga kryeqyteti i Republikës sonë, nga Prishtina, të përbashkuar e njëzëri, zotohemi për:

1 miliard euro mbështetje për prodhimtari;

Mbi 1 miliard euro për ushtrinë, dronët ushtarak "Made in Kosova", zbatimin e programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse dhe 1000 gra dhe vajza në Forcën e Sigurisë së Kosovës;

Largimin e taksës doganore prej 10% për veturat e importuara nga Evropa dhe heqjen e kufizimit 10-vjeçar për veturat e importuara nga jashtë;

Zhvendosjen e mbledhjes së TVSh-së së mallrave nga kufiri në brendi të vendit, duke mundësuar që pagesa e TVSh-së të bëhet në muajin pasues të muajit të importimit;

Krijimin e valutës digjitale, të bazuar në blockchain, që do të përdoret për pagesa dhe ndërtimin e Kullës TIK apo ICT Tower në kryeqytet;

Programin "Anembanë" për transport publik me 10 euro biletë të integruar mujore me të cilën mund të udhëtohet anembanë Kosovës;

Programin “SuperPuna për Gratë” me të cilin do të garantojmë pagën minimale për gjashtë muajt e parë për bizneset që punësojnë gra;

100 euro shtesë mbi pensionin bazik për gjyshet dhe gjyshërit që kujdesen për nipat dhe mbesat e tyre kur prindërit punojnë;

500 milionë euro investime në Brezovicë, e përveç saj do ta bëjmë edhe Borean e pastaj edhe Gjeravicën;

Përfundimin e rrugës Prizren-Tetovë, autostradës Prishtinë-Gjilan deri te Dheu i Bardhë, rrugës Dollc-Gjakovë, Kijevë-Zahaq, Duhël-Shtime-Banullë, vazhdimin e ndërtimit të rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën dhe Istogun;

Ndërtimin e Stadiumit Nacional, Qendrës Akuatike me pishinat olimpike, pishinat gjysmë-olimpike, dhe modernizimin e palestrave ekzistuese teksa bëhemi gati për Lojërat Mesdhetare 2030;

Ndërtimin e dy spitaleve të reja, një Ferizaj dhe një në Mitrovicë dhe poliklinikave specialistike në Drenas, Sharr, Podujevë, Viti, Rahovec dhe Leposaviq;

Fillimin e ndërtimit të hekurudhës Prishtinë-Durrës me segmentin Gjakovë-Shkodër që lidh portin e thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe projektimin e linjës hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanocin;

Pagë minimale mbi 500 euro e cila nuk tatohet, e që për bizneset e vogla do të thotë lirim nga tatimi për 6000 euro e para të fitimit vjetor;

Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shoqërore për mbulimin e pagesës në rast të humbjes së vendit të punës dhe të pagesës për pushimin e lehonisë e atë prindëror;

Rritjen e numrit të inspektorëve të punës deri në 200;

Programin “Mobiliteti për studentë” që do të mbështetë studentët në nevojë çdo muaj varësisht nga distanca ku studiojnë me vendin ku jetojnë dhe për bursa për studentë që ndjekin studimet në universitetet jopublike;

Modernizimin e Termocentralit “Kosova B” dhe rehabilitimin e Termocentralit “Kosova A", ndërtimin e ngrohtoreve të qytetit në Ferizaj dhe Gjilan si dhe dyfishimin e kapacitetit të mbulueshmërisë së ngrohjes qendrore në Prishtinë;

Mbështetje për ndërmarrësit e diasporës që investojnë deri në 100 milionë euro në Kosovë përmes “Dritares për Investime të Diasporës” dhe mësimin e gjuhës shqipe me planprogram të dedikuar për fëmijët e familjeve që jetojnë e punojnë jashtë vendit;

Ndërtimin e pesë rezervuarëve për ujë të pijes, ujitjes dhe industri: Digën e Firajës, Digën e Pollatës, Digën e Kuçicës, Digën e Dragaçicës dhe Digën e Desivojcës dhe përgatitjen për katër rezervuarë tjerë si studime fillestare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat