Ambasada e Kosovës në Francë ka bërë të ditur se procesi i votimit është hapur me kohë atje.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook bëhet thirrje që të kosovarët që jetojnë dhe veprojnë të dalin të votojnë.
“Hapja e vendvotimit në Ambasadën e Kosovës në Paris”.
“Sot, në orën 07:00, në Ambasadën e Kosovës në Paris u hap vendvotimi, në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”.
“Procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara!”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët po votojnë edhe në ambasadën e Stokholmit
Ambasada e Kosovës në Stokhom ka bërë të ditur se atje procesi i votimit është hapur me kohë.
Në një postim në Facebook u është bërë thirrje kosovarëve që jetojnë atje të votojnë sa më shumë.
“Për herë të parë në histori, bashkatdhetarët tanë po votojnë në përfaqësi diplomatike. Ambasada e Kosovës në Stokholm ka hapur dyert që nga ora 07:00 për votuesit, duke shënuar një moment historik për pjesëmarrjen e diasporës në proceset zgjedhore”.
“Votimi do të vazhdojë deri në ora 19:00. Inkurajojmë të gjithë qytetarët e regjistruar të shfrytëzojnë këtë të drejtë!”,thuhet në njoftim.
MPJD: Të gjitha qendrat e votimit jashtë vendit janë hapur sipas kohës së planifikuar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se të gjitha qendrat e votimit jashtë vendit, të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë hapur sipas kohës së planifikuar në Ambasadat dhe misionet konsulloret të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media, thuhet se në përputhje me vendimin e KQZ-së, MPJD ka krijuar kushtet e nevojshme për funksionalizimin e 33 Qendrave të Votimit dhe gjithsej 42 vendvotimeve.
“Procesi ka nisur pa vonesa, me qendrën e parë të hapur në Stamboll, pasuar nga 28 qendra të tjera në Evropë, të cilat kanë nisur punën në përputhje me oraret e parashikuara dhe kohën lokale në vendet e caktuara”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Qendrat e Votimit në Washington, New York, Ottawa dhe Toronto kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë gati të presin votuesit sipas kohës lokale.
Tutje, theksohet se MPJD ka shtuar kapacitetet e saj në misionet diplomatike dhe konsullore për të garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt, duke koordinuar nga afër mbarëvajtjen e votimit.
Si rrjedhojë, MPJD ka ofruar të gjithë mbështetjen e saj logjistike, njerëzore dhe financiare për të siguruar zhvillimin e procesit në përputhje me standardet më të larta.
“Ftojmë të gjithë shtetasit e regjistruar me sukses për votim fizik që të paraqiten në Qendrat e Votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Ju lutem mos harroni të merrni me vete dokumentin identifikues, pasaportën ose letërnjoftimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Procesi i votimi fillon me kohë edhe në Turqi, ftohen mërgimtarët të votojnë
Ambasada e Kosovës në Turqi ka bërë të ditur se është duke vazhduar procesi i votimit në Konsullatën e Stambollit.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se procesi i votimit është hapur në ora 07:00.
“Procesi i votimit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll po vijon!”
“Qendra e votimit është e hapur sot nga ora 07:00 deri në 19:00, duke shënuar herën e parë që qytetarët e regjistruar mund të votojnë në Stamboll”.
“Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar të marrin pjesë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët për herë të parë po votojnë edhe në Gjermani e Danimarkë
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë se sot është një ditë historike pasi është duke u bërë votimi për herë të parë në misionet diplomatike dhe konsullore në Gjermani dhe Danimarkë.
Në një postim në Facebook, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin sa më shumë të votojnë.
“Sot, për herë të parë në historinë e shtetit tonë, qytetarët e Republikës së Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart”.
“Inkurajojmë të gjithë qytetarët e regjistruar të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi historik për fuqizimin e demokracisë dhe përfaqësimin e Republikës sonë!”, ka thënë Ajeti.
Ambasada e Kosovës në Britani: Mos e humbni këtë mundësi historike, dilni dhe votoni
Ambasada e Kosovës në Britani të Madhe ka bërë të ditur se sot atje për herë të parë zhvillohet procesi i votimit për zgjedhje.
Në një njoftim aty thuhet se u hapë me kohë në orën 07:00, procesi i votimit.
“Qytetarët e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në Londër, duke shënuar një moment historik në procesin zgjedhor. Votimi filloj në orën 07:00 dhe po vazhdon me pjesëmarrje të mirë të bashkatdhetarëve tanë”.
“Nëse jeni të regjistruar, mos e humbni këtë mundësi historike – dilni dhe votoni!”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Slloveni e hapi me kohë procesin e votimit për mërgimtarët
Ambasada e Kosovës në Slloveni ka bërë të ditur se atje procesi i votimit ka filluar me kohë në orën 07:00.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook janë ftuar të gjithë kosovarët që jetojnë dhe veprojnë atje të dalin të votojnë.
“Saktë në ora 07:00, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë të Sllovenisë është hapur procesi i votimit!”
“Ftojmë të gjithë votuesit që paraprakisht suksesshëm janë regjistruar të votojnë në ambasadë, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre deri në ora 19:00!”, thuhet në njoftim.
Votimi i diasporës, ky është numri i votuesve për secilin shtet nga afro 105 mijë qytetarë të regjistruar
Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha në një konferencë për media se për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.
Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.
Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme./REL/
Diaspora nis votimin nëpër ambasada
Bashkatdhetarët të cilët janë regjistruar për votim për Zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Kosovës tashmë kanë nisur votimin nëpër ambasada në vende të ndryshme të botës.
Qendra e parë e cila është hapur për votim është ajo në Turqi dhe ajo e fundit që do të mbyllet, më e vonshmja do të jetë në Amerikë dhe Kanada.
Votimi ka nisur nga ora 07:00 dhe do të mund të votohet deri në ora 19:00.
Pamje nga votimi që po bëhet në Zvicër ka publikuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Cyrih. Ora 08:04, temperatura -1 gradë. Ju dua shumë, aq sa nuk po di ta përshkruaj me fjalë”, ka shkruar ministrja.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar se paraqitja e dokumentit të identifikimit me afat është i domosdoshëm për të realizuar të drejtën e votës.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen të dielën, më 9 shkurt.
Sot voton diaspora e Kosovës
Diaspora e Kosovës, sot nis votimin për zgjedhjet nacionale.
Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00 e mëngjesit, dhe mbyllen në ora 19:00.
“Më 8 shkurt është mundësia juaj të kontribuoni drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës.
Votimi jashtë vendit do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, sipas orës lokale, në përfaqësitë diplomatike ku jeni regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.