KQZ përditëson të dhënat: Kjo është pjesëmarrja e qytetarëve që votuan në diasporë

Aktuale

KQZ përditëson të dhënat: Kjo është pjesëmarrja e qytetarëve që votuan në diasporë

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 16:42 më 09.02.2025
Votimi i diasporës

KQZ: Pjesëmarrja e votuesve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, mbi 75%

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës kanë votuar 15.352 votues nga 20.324 të regjistruar gjithsej.

Duke folur në një konferencë për gazetarët, ai tha se pjesëmarrja e votuesve në 30 përfaqësi të Kosovës, ishte 75.54 për qind.

Votimi në këto përfaqësi është zhvilluar një ditë më herët, më 8 shkurt./REL

​Shifra e fundit: Ja sa votuan në përfaqësi diplomatike

Nga 20 mijë 324 qytetarë me të drejt vote për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve ka njoftuar se kanë votuar 15.552 ose 73.56 përqind.

Nga 32 përfaqësi diplomatike nëpër vende të ndryshme të botës, më së shumti kanë votuar në Konsullatën e Kosovës në Mynih, me 1521 votues. Pas saj, është Konsullata në Duzeldorf me 1560.Kurse, Konsullatën e Kosovws nw Cyrih, kanw votuar 1470 qytetarw.

Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata në New York, janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.

Bashkatdhetarët patën të drejt të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve.

Por, për shkak të dallimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapen të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit.

Ndërkaq, në Ambasadën në Washington të drejt vote patën 78 shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkaq në Konsullatën në New-York, të drejt vote patën 619 bashkatdhetarë.

​KQZ tregon se kur do të dihen rezultatet nga votat e diasporës

Qytetarët e Kosovës në diasporë kanë votuar në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një konferencë për media, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, dje ka dhënë detaje nga procesi i votimit deri në orën 19:00 dhe mbyllja e vendvotimeve në disa shtete.

“Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi dhe nga të dhënat që kemi për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 në SHBA dhe Kanada ju njoftojmë se në këtë proces zgjedhor kanë votuar 14 mijë e 463 votues apo 71.16 për qind. Më vonë mund të kemi të dhëna më të përgjithshme nga pjesëmarrja e votimit në përfaqësitë diplomatike pasi të përfundojë votimi edhe në këto dy shtete ”, tha Radoniqi.

Ai ka thënë se procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe se rezultatet do të dihen më së largu ditën e hënë.

“Nuk është paraqitur asnjë parregullsi. I tërë procesi ka shkuar sipas planifikimit dhe pa asnjë problem… Fillimisht do të sigurohen në këtë ndërtesë dhe pasi të përfundojë fillimi i numërimit të nesërm, atëherë fillon numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Radoniqi.

Ai në emër të KQZ-së ka ftuar shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetues për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ftoi subjektet politike që të sillen konform ligjeve në fuqi.

Kujtojmë, për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 qytetarë.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërsa në Kanada dhe SHBA në orën 13:00, me kohën lokale të Kosovës.

Procesi mbahet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete: Austri, Belgjikë, Britani e Madhe, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Norvegji, SHBA, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Kjo është hera e parë që diaspora voton fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Mërgata votoi/ Përfundon procesi zgjedhor në Uashington dhe Nju-Jork

Ambasada e Kosovës në Uashington dhe Konsullata në Nju-Jork janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.

Bashkatdhetarët patën të drejt të ushtrojnë votën në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve.

Por, për shkak të dallimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapen të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit, gjithashtu.

“Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në Uashington

Përmbyllet votimi në disa përfaqësi diplomatike, pjesëmarrja mbi 71%

Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është përmbyllur në disa shtete me një pjesëmarrje të konsiderueshme.

KQZ njofton se nga gjithsej 20,324 votues të regjistruar, deri në orën 19:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre 14,463 qytetarë, që përbën 71.16% të votuesve.

Në këto shifra nuk janë përfshirë Qendrat e Votimit në Washington, Ottawa, Toronto dhe New York.

Procesi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasadat dhe konsullatat në shtete si Gjermania, Zvicra, SHBA, Franca, Austria, Mbretëria e Bashkuar e të tjera.

Pas mbylljes që vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, KQZ, me ndihmën e MPJD-së, do të sjellë votat në Kosovë dhe më pas ato do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, pasi të jenë numëruar votat e rregullta të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se pret që nga dita e hënë të nisë transportimi i votave nga përfaqësitë diplomatike për në Kosovë.

Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.

Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.

Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.

KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 50.91 për qind e votuesve në diasporë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 10.306 persona apo 50.91 për qind e votuesve të regjistruar.

"Është duke vazhduar procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës.

Nga 20,324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, deri në orën 15:00 kanë votuar 10,346 votues apo 50.91 %.", thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Votimi i mërgimtarëve filloi edhe në ShBA

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është hapur me kohë për të mbajtur procesin votues.

Në një postim në Facebook bëhet thirrje që kosovarët që jetojnë atje të votojnë.

“Sot për herë të parë votohet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, D.C!”

“Qytetarët e Kosovës në Shtetet e Bashkuar kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në Washington, D.C., duke shënuar një moment historik në procesin zgjedhor”.

“Nëse jeni të regjistruar, mos e humbni këtë mundësi – dilni dhe votoni!”, thuhet në njoftim. 

Ministrja Donika Gërvalla voton në diasporë

Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës po vazhdon në ambasadat e vendeve të ndryshme të botës.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se ka votuar në diasporë.

Ajo ka thënë se ka votuar si të gjithë mërgimtarët nëpër të gjithë botën.

“Unë votova. Ashtu si edhe mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Me zemër plot e me mendjen te ju. Votova për çdo hap që keni bërë larg atdheut, për çdo sakrificë që keni duruar, për çdo ëndërr që nuk e latë të shuhet. Votova për Kosovën që e mbani në shpirt, për Kosovën që e doni pa kushte, për Kosovën që e duam më të drejtë, më të fortë, më të denjë.

Kjo votë është për ju. Për mallin që e keni bërë forcë, për fjalën shqip që nuk e latë të heshtë, për rrënjët që nuk i harruat kurrë. Kosova ju ka borxh shumë. E sot, unë dhashë votën time me bindjen se ky borxh duhet të njihet, të nderohet dhe të kthehet në vepra”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Mërgimtarët po votojnë edhe në Itali

Ambasada e Kosovës në Itali ka bërë të ditur se edhe atje është duke u mbajtur procesi i votimit për diasporën.

Në një njoftim të lëshuar nga ambasada bëhet thirrje që kosovarët të shkojnë të votojnë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar për votim fizik të na bashkohen dhe të përmbushin obligimin e tyre qytetar”.

“Çdo votë është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës tonë”, thuhet në njoftim.

KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 21 për qind e votuesve në diasporë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e votuesve të regjistruar.

Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?

Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:

Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat