LIVE: Diaspora po voton! Përmbyllet votimi në disa përfaqësi diplomatike, kaq është pjesëmarrja në zgjedhje

Aktuale

LIVE: Diaspora po voton! Përmbyllet votimi në disa përfaqësi diplomatike, kaq është pjesëmarrja në zgjedhje

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 07:42 Përditësuar në ora: 21:18 më 08.02.2025
Votimi i diasporës

Përmbyllet votimi në disa përfaqësi diplomatike, pjesëmarrja mbi 71%

Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është përmbyllur në disa shtete me një pjesëmarrje të konsiderueshme.

KQZ njofton se nga gjithsej 20,324 votues të regjistruar, deri në orën 19:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre 14,463 qytetarë, që përbën 71.16% të votuesve.

Në këto shifra nuk janë përfshirë Qendrat e Votimit në Washington, Ottawa, Toronto dhe New York.

Procesi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasadat dhe konsullatat në shtete si Gjermania, Zvicra, SHBA, Franca, Austria, Mbretëria e Bashkuar e të tjera.

Pas mbylljes që vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, KQZ, me ndihmën e MPJD-së, do të sjellë votat në Kosovë dhe më pas ato do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, pasi të jenë numëruar votat e rregullta të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se pret që nga dita e hënë të nisë transportimi i votave nga përfaqësitë diplomatike për në Kosovë.

Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.

Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.

Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.

KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 50.91 për qind e votuesve në diasporë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 10.306 persona apo 50.91 për qind e votuesve të regjistruar.

"Është duke vazhduar procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës.

Nga 20,324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, deri në orën 15:00 kanë votuar 10,346 votues apo 50.91 %.", thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Votimi i mërgimtarëve filloi edhe në ShBA

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është hapur me kohë për të mbajtur procesin votues.

Në një postim në Facebook bëhet thirrje që kosovarët që jetojnë atje të votojnë.

“Sot për herë të parë votohet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington, D.C!”

“Qytetarët e Kosovës në Shtetet e Bashkuar kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në Washington, D.C., duke shënuar një moment historik në procesin zgjedhor”.

“Nëse jeni të regjistruar, mos e humbni këtë mundësi – dilni dhe votoni!”, thuhet në njoftim. 

Ministrja Donika Gërvalla voton në diasporë

Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës po vazhdon në ambasadat e vendeve të ndryshme të botës.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se ka votuar në diasporë.

Ajo ka thënë se ka votuar si të gjithë mërgimtarët nëpër të gjithë botën.

“Unë votova. Ashtu si edhe mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Me zemër plot e me mendjen te ju. Votova për çdo hap që keni bërë larg atdheut, për çdo sakrificë që keni duruar, për çdo ëndërr që nuk e latë të shuhet. Votova për Kosovën që e mbani në shpirt, për Kosovën që e doni pa kushte, për Kosovën që e duam më të drejtë, më të fortë, më të denjë.

Kjo votë është për ju. Për mallin që e keni bërë forcë, për fjalën shqip që nuk e latë të heshtë, për rrënjët që nuk i harruat kurrë. Kosova ju ka borxh shumë. E sot, unë dhashë votën time me bindjen se ky borxh duhet të njihet, të nderohet dhe të kthehet në vepra”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Mërgimtarët po votojnë edhe në Itali

Ambasada e Kosovës në Itali ka bërë të ditur se edhe atje është duke u mbajtur procesi i votimit për diasporën.

Në një njoftim të lëshuar nga ambasada bëhet thirrje që kosovarët të shkojnë të votojnë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar për votim fizik të na bashkohen dhe të përmbushin obligimin e tyre qytetar”.

“Çdo votë është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës tonë”, thuhet në njoftim.

KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 21 për qind e votuesve në diasporë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e votuesve të regjistruar.

Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?

Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:

Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Edhe Ambasada në Bruksel hapi dyert për diasporën - inkurajohen të ushtrojnë të drejtën e votës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel sot ka hapur dyert për të pritur të gjithë votuesit e regjistruar për votim në përfaqësinë tonë diplomatike.

Sipas një njoftimi nga ana e kësaj ambasade, bëhet  ditur e procesi ka nisur me kohë, duke inkurajuar votuesit të dalin e të votojnë.

“Procesi i votimit ka nisur me kohë, në ora 07:00, dhe do të vazhdojë deri në ora 19:00. Inkurajohen të gjithë votuesit e regjistruar për votim në Ambasadën në Bruksel që ta ushtrojnë këtë të drejtë dhe obligim qytetar”.

“Sipas udhëzimeve të KQZ-së, secili votues i regjistruar duhet ta ketë me vete edhe një dokument identifikimi të Republikës së Kosovës, letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes”, thuhet në njoftim.

Mërgimtarët votojnë në Zagreb

Diaspora e Kosovës po voton edhe në Zagreb të Kroacisë.

Përmes një postimi nga ana e ambasadës së Kosovës në Zagreb, thuhet se vendvotimi u hap në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara për të garantuar një votim të rregullt dhe të drejtë.

“Sot, në orën 07:00, në Ambasadën e Kosovës në Zagreb u hap vendvotimi, në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara për të garantuar një votim të rregullt dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.

Diaspora e Kosovës po voton edhe në Paris

Ambasada e Kosovës në Francë ka bërë të ditur se procesi i votimit është hapur me kohë atje.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook bëhet thirrje që të kosovarët që jetojnë dhe veprojnë të dalin të votojnë.

“Hapja e vendvotimit në Ambasadën e Kosovës në Paris”.

“Sot, në orën 07:00, në Ambasadën e Kosovës në Paris u hap vendvotimi, në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”.

“Procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara!”, thuhet në njoftim.

Mërgimtarët po votojnë edhe në ambasadën e Stokholmit

Ambasada e Kosovës në Stokhom ka bërë të ditur se atje procesi i votimit është hapur me kohë.

Në një postim në Facebook u është bërë thirrje kosovarëve që jetojnë atje të votojnë sa më shumë.

“Për herë të parë në histori, bashkatdhetarët tanë po votojnë në përfaqësi diplomatike. Ambasada e Kosovës në Stokholm ka hapur dyert që nga ora 07:00 për votuesit, duke shënuar një moment historik për pjesëmarrjen e diasporës në proceset zgjedhore”.

“Votimi do të vazhdojë deri në ora 19:00. Inkurajojmë të gjithë qytetarët e regjistruar të shfrytëzojnë këtë të drejtë!”,thuhet në njoftim. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat