Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës po vazhdon në ambasadat e vendeve të ndryshme të botës.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se ka votuar në diasporë.
Ajo ka thënë se ka votuar si të gjithë mërgimtarët nëpër të gjithë botën.
“Unë votova. Ashtu si edhe mijëra e mijëra mërgimtarë në të gjithë botën. Me zemër plot e me mendjen te ju. Votova për çdo hap që keni bërë larg atdheut, për çdo sakrificë që keni duruar, për çdo ëndërr që nuk e latë të shuhet. Votova për Kosovën që e mbani në shpirt, për Kosovën që e doni pa kushte, për Kosovën që e duam më të drejtë, më të fortë, më të denjë.
Kjo votë është për ju. Për mallin që e keni bërë forcë, për fjalën shqip që nuk e latë të heshtë, për rrënjët që nuk i harruat kurrë. Kosova ju ka borxh shumë. E sot, unë dhashë votën time me bindjen se ky borxh duhet të njihet, të nderohet dhe të kthehet në vepra”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Mërgimtarët po votojnë edhe në Itali
Ambasada e Kosovës në Itali ka bërë të ditur se edhe atje është duke u mbajtur procesi i votimit për diasporën.
Në një njoftim të lëshuar nga ambasada bëhet thirrje që kosovarët të shkojnë të votojnë.
“Ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar për votim fizik të na bashkohen dhe të përmbushin obligimin e tyre qytetar”.
“Çdo votë është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës tonë”, thuhet në njoftim.
KQZ: Deri në orën 11:00 votuan 21 për qind e votuesve në diasporë
Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e votuesve të regjistruar.
Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?
Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:
Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Edhe Ambasada në Bruksel hapi dyert për diasporën - inkurajohen të ushtrojnë të drejtën e votës
Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel sot ka hapur dyert për të pritur të gjithë votuesit e regjistruar për votim në përfaqësinë tonë diplomatike.
Sipas një njoftimi nga ana e kësaj ambasade, bëhet ditur e procesi ka nisur me kohë, duke inkurajuar votuesit të dalin e të votojnë.
“Procesi i votimit ka nisur me kohë, në ora 07:00, dhe do të vazhdojë deri në ora 19:00. Inkurajohen të gjithë votuesit e regjistruar për votim në Ambasadën në Bruksel që ta ushtrojnë këtë të drejtë dhe obligim qytetar”.
“Sipas udhëzimeve të KQZ-së, secili votues i regjistruar duhet ta ketë me vete edhe një dokument identifikimi të Republikës së Kosovës, letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët votojnë në Zagreb
Diaspora e Kosovës po voton edhe në Zagreb të Kroacisë.
Përmes një postimi nga ana e ambasadës së Kosovës në Zagreb, thuhet se vendvotimi u hap në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, derisa procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara për të garantuar një votim të rregullt dhe të drejtë.
“Sot, në orën 07:00, në Ambasadën e Kosovës në Zagreb u hap vendvotimi, në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara për të garantuar një votim të rregullt dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.
Diaspora e Kosovës po voton edhe në Paris
Ambasada e Kosovës në Francë ka bërë të ditur se procesi i votimit është hapur me kohë atje.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook bëhet thirrje që të kosovarët që jetojnë dhe veprojnë të dalin të votojnë.
“Hapja e vendvotimit në Ambasadën e Kosovës në Paris”.
“Sot, në orën 07:00, në Ambasadën e Kosovës në Paris u hap vendvotimi, në përputhje me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”.
“Procesi po zhvillohet sipas standardeve të përcaktuara!”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët po votojnë edhe në ambasadën e Stokholmit
Ambasada e Kosovës në Stokhom ka bërë të ditur se atje procesi i votimit është hapur me kohë.
Në një postim në Facebook u është bërë thirrje kosovarëve që jetojnë atje të votojnë sa më shumë.
“Për herë të parë në histori, bashkatdhetarët tanë po votojnë në përfaqësi diplomatike. Ambasada e Kosovës në Stokholm ka hapur dyert që nga ora 07:00 për votuesit, duke shënuar një moment historik për pjesëmarrjen e diasporës në proceset zgjedhore”.
“Votimi do të vazhdojë deri në ora 19:00. Inkurajojmë të gjithë qytetarët e regjistruar të shfrytëzojnë këtë të drejtë!”,thuhet në njoftim.
MPJD: Të gjitha qendrat e votimit jashtë vendit janë hapur sipas kohës së planifikuar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se të gjitha qendrat e votimit jashtë vendit, të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë hapur sipas kohës së planifikuar në Ambasadat dhe misionet konsulloret të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media, thuhet se në përputhje me vendimin e KQZ-së, MPJD ka krijuar kushtet e nevojshme për funksionalizimin e 33 Qendrave të Votimit dhe gjithsej 42 vendvotimeve.
“Procesi ka nisur pa vonesa, me qendrën e parë të hapur në Stamboll, pasuar nga 28 qendra të tjera në Evropë, të cilat kanë nisur punën në përputhje me oraret e parashikuara dhe kohën lokale në vendet e caktuara”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Qendrat e Votimit në Washington, New York, Ottawa dhe Toronto kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë gati të presin votuesit sipas kohës lokale.
Tutje, theksohet se MPJD ka shtuar kapacitetet e saj në misionet diplomatike dhe konsullore për të garantuar një proces të rregullt dhe të sigurt, duke koordinuar nga afër mbarëvajtjen e votimit.
Si rrjedhojë, MPJD ka ofruar të gjithë mbështetjen e saj logjistike, njerëzore dhe financiare për të siguruar zhvillimin e procesit në përputhje me standardet më të larta.
“Ftojmë të gjithë shtetasit e regjistruar me sukses për votim fizik që të paraqiten në Qendrat e Votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike. Ju lutem mos harroni të merrni me vete dokumentin identifikues, pasaportën ose letërnjoftimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Procesi i votimi fillon me kohë edhe në Turqi, ftohen mërgimtarët të votojnë
Ambasada e Kosovës në Turqi ka bërë të ditur se është duke vazhduar procesi i votimit në Konsullatën e Stambollit.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se procesi i votimit është hapur në ora 07:00.
“Procesi i votimit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll po vijon!”
“Qendra e votimit është e hapur sot nga ora 07:00 deri në 19:00, duke shënuar herën e parë që qytetarët e regjistruar mund të votojnë në Stamboll”.
“Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar të marrin pjesë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike”, thuhet në njoftim.
Mërgimtarët për herë të parë po votojnë edhe në Gjermani e Danimarkë
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë se sot është një ditë historike pasi është duke u bërë votimi për herë të parë në misionet diplomatike dhe konsullore në Gjermani dhe Danimarkë.
Në një postim në Facebook, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin sa më shumë të votojnë.
“Sot, për herë të parë në historinë e shtetit tonë, qytetarët e Republikës së Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart”.
“Inkurajojmë të gjithë qytetarët e regjistruar të shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi historik për fuqizimin e demokracisë dhe përfaqësimin e Republikës sonë!”, ka thënë Ajeti.