Në një deklaratë të prerë, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mohuar çdo mundësi për një koalicion me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.
“Qëndrimi ynë përfundimtar, final, është një JO e madhe koalicionit me Vetëvendosjen. Do të ishte tradhti ndaj elektoratit të PDK-së nëse bëhet një koalicion mes nesh dhe Vetëvendosjes.
Ajo është një parti që ka treguar se ndjek një politikë me tendenca autoritare, e ka goditur sistemin gjyqësor, mediat dhe opozitën. Ka sjellje problematike me partnerët e jashtëm dhe ka tradhtuar orientimin tonë perëndimor. Prandaj, PDK nuk mund të bashkëpunojë me një subjekt të tillë politik, i cili i ka bërë dëme të mëdha vendit,” ka deklaruar Hoxhaj në një intervistë.
Kjo deklaratë konfirmon se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të shqyrtojë asnjë mundësi për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, duke u pozicionuar qartë në spektrin politik të vendit.