Ish-ambasadori Lulzim Peçi ishte këtë të premte i ftuar në “Balkan Talks” në Euronews Albania për të folur rreth zgjedhjeve në Kosovë të cilat do të mbahën të dielën më 9 shkurt.
Ai tha se si qeveria e drejtuar nga Kurti edhe opozita në Kosovë, kanë pasur gabimet e tyre. Sipas tij, “elefanti në dhomë” mbetet ende çështja e asociacionit.
Sipas tij, Kurti ka avantazh përballë opozitës në lidhje me veriun e Kosovës, pasi si LDK dhe PDK kanë pranuar në heshtje shtrirjen e sovranitetit në veri.
“Mbushja e institucioneve me shqiptarë në veri dhe prezenca e policisë së Kosovës në masë të madhe nga pikëpamja shqiptarë, te ne po transmetohet si shtrirje e sovranitetit. Opozita, LDK dhe PDK kanë luajtur një lojë të populizmit të heshtur, ndërsa për “elefantin në dhomë”, për asociacionin, për marrëveshjet, e vetmja parti që ka qenë konsistente dhe ka trajtuar elefantin në dhomë, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Unë vërtet kam respekt për atë që ka bërë aleancë sepse ka marrë rrezikun që ti kushtojë elektoralisht por ka treguar diçka që duhet me patjetër të zbatohet. Meqë dy partitë më të mëdha të opozitës, nuk patën narrativë për Veriun, e pranuan në heshtje që sovraniteti po shtrihet për herë të parë. Kështu që në aspektin e narrativës, Kurti është fitues për sa i përket veriut”.