​Muhaxhiri parashikon skenarin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Aktuale

​Muhaxhiri parashikon skenarin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 11:23
Artan Muhaxhiri

Pavarësisht që Lëvizja Vetëvendosje mund të fitojë zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, gjasat më realiste janë që opozita të formojë qeverinë, thotë politologu, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, partia aktuale në pushtet do të ketë të pamundur të përsërit rezultatin e vitit 2021 dhe të marrë sërish 50 për qind të votave dhe rrjedhimisht tri partitë, PDK, LDK, AAK, së bashku me komunitetet jo shumicë të formojë qeverinë.

Muhaxhiri për KosovaPress thotë se është shumë e vështirë që Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhje të gjejë aleatë dhe të formojë qeverinë. Megjithatë, ai shton se edhe nëse PDK, LDK, dhe AAK e formojnë qeverinë, ato do të kenë shumë probleme, pasi do të ishte e vështirë harmonizimi i qëndrimeve.

Muhaxhiri: Pavarësisht se LVV-ja mund të del e para, opozita mund të themelojë qeverinë e ardhshme

“Secila parti që shkon në parti me një Vetëvendosje që sipas gjasave do t’i fitojë zgjedhjet, do të jetë dy herë fituese e zgjidhjeve, andaj do të jetë si një lloj paterice dhe s’do të ketë subjektivitet. Do të duhej t’i nënshtrohet ideve të kryeministrit Kurti. Kjo nuk besoj se do të ishte normale për PDK-në, LDK dhe as AAK-në. Në një aspekt tjetër, mund të kemi një qeveri të përbërë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Kjo do të ishte një qeveri ishullore ku secila parti do të ishte sikur një ishull i vetëm, s’do të kishte një harmonizim por secila do të vepronte si të ndara”, thekson Muhaxhiri.

Ai e sheh të mundshme që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të përsëritet rasti i vitit 2014 me VLAN-in, kur partitë që nuk i kishin fituar zgjedhjet ishin pozicionuar kundër PDK-së, që kishte dal e para.

Muhaxhiri: Gjasat reale janë që të kemi një përsëritje të rastit të VLAN-it

“Në lidhje me projektimet për rezultatin eventual mendoj që gjasat më realiste janë që pas 9 shkurtit të kemi një përsëritje të asaj çka ka ndodhur me rastin e VLAN-it, të kemi një VLAN 2.0. S’besoj se LVV-ja do t’i fitojë sërish 50 për qind dhe për këtë arsye opsioni më realist...do të duhej të ishte të kemi një qeverisje pa Lëvizjen Vetëvendosje për disa arsye. Arsyeja e parë është që nuk mund t’i fitojë sërish 50 për qind dhe të krijojë e vetme qeverinë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me një armiqësi shumë të madhe politike që LVV-ja e ka krijuar me parti të tjera. Do të ketë po thuajse të pamundshme të bëjë një aleancë me ndonjë prej partive që tani janë në opozitë. Në anën tjetër si pikë e tretë dhe më e rëndësishme konsideroj se Kosova ka nevojë që t’i ringjallë raportet me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me ShBA-në dhe BE-në”, shton ai.

Duke komentuar fushatën zgjedhore, politologu Muhaxhiri thotë se njëjta ka kaluar pa incidente të theksuara, por sipas tij, opozita nuk ka qenë shumë kreative në krijimin e planeve dhe projekteve të konkretizuara për të paraqitur një ofertë substanciale për votuesit kosovarë.

Muhaxhiri: Fushata ka kaluar pa incidente, por është pritur më shumë kreativitet nga ana e opozitës

“Fushata ka kaluar pa incidente. Është për tu respektuar vullneti i partive politike që të fokusohen në ide dhe premtime. Por gjithsesi është pritur më shumë kreativitet nga ana e opozitës pasi kanë pasur kohë të mjaftueshme që të krijojnë plane dhe projekte shumë më të konkretizuara për të luftuar qeverisjen Kurti dhe kritikuar një ofertë më substanciale për votuesit kosovarë”, deklaron Muhaxhiri.

Krahas kësaj, Muhaxhiri për KosovaPress, flet edhe për replikat mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell.

Sipas tij, kjo betejë mes Kurtit dhe Grenell mund të jetë katastrofale për Kosovën.

Grenell gjatë kësaj jave dy herë i ka replikuar Kurtit, i cila ka thënë se raportet mes Kosovës dhe ShBA-së kurrë s’kanë qenë më të mira.

Sipas Grenell, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të ulët, duke shtuar për Kurtin se kundër tij janë bashkuar bashkësia ndërkombëtare.

Muhaxhiri: Beteja mes Grenell dhe Kurtit mund të jetë katastrofale për Kosovën

“Stili politik i administratës Trump është brutal, është i paparë në këto dekadat e fundit. Arroganca dhe shpejtësia që po merr vendime të mëdha me po planifikon ndryshme gjeo-strategjike në nivel global tregon se gjatë këtij mandati do të ketë shumë ndryshime dhe transformime. Kosova e ka të domosdoshme, jetike që të nxënë një pozicion sa më pozitivë në këto ri konfigurime dhe ndryshime. Prandaj kjo betejë e ashpër politike mes zotëri Grenell i cili është pjesëtarë i grupit shumë të afërt vendimmarrës të zotëri Trump dhe kryeministrit Kurti është katastrofale për Kosovën. Kjo mund të ketë pasoja shumë negative dhe të dëmshme”, përfundon ai.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat