Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve nga Kosova që të votojnë në zgjedhjet që do të mbahen nesër dhe të votojnë për Listën Serbe, pasi siç tha ai, “është e vetmja garanci që Albin Kurti nuk do t’i dëbojë ata”.
“Po shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që të votojnë në zgjedhje, që të mos e kenë të vështirë. Që të mos jetë e vështirë për ata që kanë nevojë për një ditë pushimi për të marrë një makinë apo autobus për të shkuar në vendlindje për të votuar. Dhe për të votuar Listën Serbe, sepse Lista Serbe është e vetmja garanci që Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova. Lista Serbe është e vetmja listë që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet. Jo Kurti, as ata nga bota që bashkëpunuan me të në punën e dëbimit të serbëve”, ka deklaruar Vuçiq.
I pyetur nëse është e mundur që Kosova të ndalojë votimin e serbëve të zhvendosur, Vuçiq tha se kjo nuk do të ndodhte dhe se këtë e kishte diskutuar me përfaqësuesit e QUINT-it.
“Ishte një natë e gjatë, kemi biseduar me përfaqësues të QUINT-it, kemi biseduar me të gjithë dhe kemi një premtim se diçka e tillë nuk do të ndodhë. Ky do të ishte një skandal i ekzagjeruar dhe do të ishte e qartë se zgjedhjet nuk ishin të rregullta”, tha Vuçiq.