Në Kosovë përfundon sot fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit - e karakterizuar edhe me tendencë për keqpërdorim të mediave sociale. Shumë profile të rreme janë hapur gjatë këtyre ditëve me qëllim të mbështetjes së partive politike dhe kandidatëve për kryeministër. Studiues të mediave thonë se risi në këtë fushatë është se këto profile për herë të parë janë gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Hulumtuesi në platformën për kontroll të fakteve “Hibrid.info”, Festim Rizanaj thotë se në këto profile të rreme janë postuar fotografi e përmbajtje me mesazhe politike.
Rizanaj: Në profilet e rreme postohen fotografi e përmbajtje me idenë që të arrijnë sa më shumë audiencë
“Janë hapur disa profile të rreme në mënyrë që të rrisin atë ndërveprimin në media sociale të postimeve të ndryshme të kandidatëve dhe të partive politike. Por, kësaj radhe atyre ju ka ndihmuar edhe inteligjenca artificiale, nëpërmjet së cilës është krijuar dhe është mirëmbajtur ai profili fake. Qëllimi i profileve fake që njihet në anglisht si ‘Astroturfing’ është të krijohet iluzioni i mbështetjes për një kandidat apo për një parti politike. Pra këta krijojnë profile fake, mirëmbahen me fotografi, me përmbajtje të caktuara të cilën e plasojnë. Pastaj i koordinojnë postimet, mesazhet, përmbajtjet në atë profil dhe njëkohësisht edhe e menaxhojnë ndërveprimin në media sociale nëpërmjet këtyre profileve duke e rritur shikueshmërinë e përmbajtjeve të cilat i postojnë me idenë që të arrijnë sa më shumë audiencë”, deklaron ai.
Hapja e profileve të rreme në kohë fushate, Rizanaj shton se bëhet me qëllim që të krijohet opinion publik e mbështetje për parti të caktuara politike.
Rizanaj: Efekti i kësaj forme është që të krijojë një lloj mbështetje masive
“Efekti i kësaj forme është që të krijojë një lloj mbështetje masive, sepse audienca është e prirur t’i besojë asaj që shpërndahet masivisht edhe kjo mund të ndikojë te audienca. E dyta është me e fut në debat publik edhe nëse si beson audienca kësaj forme, kësaj teknike të përmbajtjes edhe shpërndarjes në media sociale kjo hyn në debatin publik edhe diskutohet ajo temë që është shtrirë më së shumti në mediat sociale. E treta është që të dominohen narrativat politike mbi të cilën zhvillohet fushata. Për shembull nëse ka shpërndarje shumë, atëherë diskutimi mbi atë narrativ apo mbi atë pretendim bëhet temë diskutimi ditor gjatë fushatës”, shton Rizanaj.
Sipas profesorit universitar, Alban Zeneli, risi është se këto profile të rreme po gjenerohen me inteligjencë artificiale.
Zeneli: Risia e kësaj fushate është se profilet e rreme janë gjeneruar me inteligjencë artificiale
“Fushatat zgjedhore në Kosovë karakterizohen në vazhdimësi me tendencë për tu keqpërdorur mediat sociale për të krijuar opinion publik te qytetarët që në mbështetje të një partie politike ose në një tjetër. Risia e kësaj fushate apo këtyre zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt është që fushata e këtyre zgjedhjeve është karakterizuar me profile të cilat për herë të parë janë gjeneruar me inteligjencë artificiale, janë mirëmbajtur me inteligjencë artificiale dhe përmbajtjet e tyre qofshin audio, video ose tekst janë shpërndarë përmes inteligjencës artificiale. Kjo edhe për faktin që është hera e parë që mbahen zgjedhjet në Kosovë pas zbulimeve të chatgpt ose gjeneratorë të tjerë të përmbajtjes që janë me inteligjencë artificiale”, thotë Zeneli.
Me këto përmbajtje në media sociale, siç shton Zeneli, po tentohet kornizimi i opinionit të qytetarëve.
Zeneli: Kjo formë ka shkaktuar problem në komunikimin me qytetarët
“Kjo gjë normalisht që ka shkaktuar problem në komunikimin e drejtpërdrejt të qytetarëve në media sociale, sepse informacionet janë kornizuar kryesisht me idenë kryesore që të paraqesin pozitivisht ndonjë politikan ose të zhvillohet ajo që njihet si kontra-fushatë apo fushata kundërshtuese ndaj partive të tjera politike. Duke tentuar t’i paraqesin apo kornizojnë partitë tjera si parti të këqija, që kanë bërë atë ose këtë, me idenë kryesore që ta formësojnë ose për ta kornizuar mendimin e njerëzve që e shikojnë ato përmbajtje”, shton Zeneli.
Nesër qytetarët votojnë për udhëheqjen e re
Nesër më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare.