“Rezultatet do të publikohen shumë shpejt”, zëdhënësi KQZ jep detaje për zgjedhjet

Aktuale

“Rezultatet do të publikohen shumë shpejt”, zëdhënësi KQZ jep detaje për zgjedhjet

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 15:06
Valmir Elezi

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ka folur në një lidhje direkte për Euronews Albania, ku shpjegoi procedurën e numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Elezi theksoi se rezultatet do të shpallen shumë shpejt dhe me gjasa para mesnate ndërsa zbuloi një ndryshim të rëndësishëm në procesin e numërimit, i cili do të aplikohet këtë vit, duke ofruar një nivel më të lartë transparence dhe qasjen e qytetarëve dhe mediave në rezultatet në kohë reale.

“Besojmë se ky proces do të jetë më i shpejtë dhe do të ndikojë në shfaqjen e rezultateve. Shpresojmë që ato të jenë të gatshme në një kohë të shkurtër, por kjo do të varet nga ecuria e procesit të votimit. Megjithatë, nuk dua të bëhemi robër të orarëve, pasi kemi të bëjmë me 2533 vend votime dhe duhet të presim ecurinë e procesit zgjedhor dhe pastaj numërimin,” shtoi Elezi.

Ai theksoi se ky ndryshim do ta bëjë procesin më të shpejtë dhe më efikas, duke ndikuar drejtpërdrejt në publikimin e rezultateve.

“Ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore, ka ndryshuar mënyra e numërimit të fletëvotimeve. Tani, numërimi do të bëhet vetëm për ato fletëvotime ku qytetarët kanë zgjedhur subjektet politike, ndërsa në pjesën e djathtë, ku qytetarët kanë përzgjedhur kandidatët për deputet, numërimi do të bëhet nga dita e hënë në qendrat komunale,” shpjegoi Elezi.

Përveç kësaj, Elezi njoftoi se të dhënat e numërimit do të dërgohen në një platformë elektronike, ku qytetarët dhe mediat do të kenë mundësi të ndjekin rezultatet në kohë reale.

“Do të kemi një platformë elektronike, një faqe të veçantë ku do të publikojmë rezultatet në kohë reale dhe aty mund t’i marrin edhe mediat,” përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat