​A po kthehen mërgimtarët nga Gjermania, flasin qytetarët

Aktuale

​A po kthehen mërgimtarët nga Gjermania, flasin qytetarët

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Qytetarët kanë komentuar deklarimet e shefes së diplomacisë Donika Gërvalla para disa ditësh për kthimin e mërgimtarëve në Kosovë.

Gërvalla kishte deklaruar se “çdo herë” në aeroplan takon njerëz që po kthehen në Kosovë nga Gjermania, Suedia, Zvicra e shtete të tjera.

Këto deklarime ngjallën reagime të shumta, por më shumë tallje. Për deklaratën e kryediplomates, KP ka pyetur edhe qytetarët e Prishtinës.

Fatime Statovci thotë se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e mirë, por kjo nuk ka ndikuar që vajza e saj të rikthehet nga Londra për të jetuar në atdhe.

Statovci: Vajza ime është kthyer nga Londra

"Besoj që Gjermania, sepse Kosova është dobët njëherë. Vajza ime është kthyer nga Londra. Atje e ka përfunduar universitetin është punësuar këtu, e i kam djemtë atje, pot nuk duan të kthehen", ka thënë ajo.

Bedri Tahiri thotë se tregon se Gjermania është më përpara, por Kosova nuk qëndron keq.

Tahiri: Ka plot që janë kthyer, në Gjermani mbijetojnë ata që kanë zanat

"Kuptohet se gjermanët janë shumë më përpara se ne, atje është shtet më i zhvilluar në dallim prej nesh që jemi shtet më i ri, mirëpo nuk është keq as këtu. Kush dëshiron të punoj ka mundësi. Ka plot që janë kthyer, kam parë në rrjete sociale që po kthehen e po merren me ferma këtu. Kam qenë edhe në Gjermani nuk është se janë shumë të kënaqur me paga, një banesë 1000 euro, shumë vështirë e kanë edhe atje, përveç kush ka ndonjë zanat se nuk është lehtë", ka thënë ai.

Rexhep Ibishi ka tre djem në Gjermani. Ai tregon se ata po kthehen, por jo për të jetuar.

Ibishi: Ku ka vend më të mirë se Kosova, nuk ka

"Më mirë është në Kosovë se në Gjermani edhe më mirë është në Kosovë se në gjithë Evropën. Ku ka vend më të mirë se Kosova, nuk ka. Të gjitha i ke këtu. Me klimë e me natyrë janë këtu. Tre djemtë e mi do të vijnë tani nga Gjermania, por jo për të jetuar. Po, vijnë të votojnë", ka thënë ai.

Qytetarja Gjyka Balidemaj thotë se deklaratat të tilla janë të kota, pasi paga në Gjermani nuk mund të krahasohet me atë në Kosovë.

Balidemaj: Në Gjermani është më mirë

"Në Gjermani është më mirë, atje ka më shumë para. Atje 2000-3000 euro paga, këtu 120 euro pensioni. Nuk e di çka po thotë kryeministri, unë po i shoh rrogat e pensionet. I kam jashtë fëmijët por nuk do kthehen kurrë", ka deklaruar Balidemaj.

Ndërsa Mysli Nishori thotë se Kosova është vendi më i mirë për jetesë në botë.

Nishori: Më mirë se në Kosovë nuk ka kurrkund

"Më mirë se në Kosovë nuk ka kurrkund, Kosova është vendi më i miri në botë. I kam rreth 30 familjarë në Gjermani, disa mendojnë të kthehen në Kosovë e disa jo", ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat