Bekim Jashari del kundër kësaj partie, ka këtë thirrje për qytetarët

Aktuale

Bekim Jashari del kundër kësaj partie, ka këtë thirrje për qytetarët

Nga: Bota sot Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 20:15
Bekim Jashari

Bekim Jashari, djali i heroit të Kosovës, Hamëz Jasharit, një postim në  profilin e tij në Facebook,  ka treguar arsyejën pse në Skenderaj e mbështet opozitën dhe njerëzit që kundërshtojnë pushtetin aktual lokal, shkruan "Bota sot".

Në një postim të tij në Facebook, Jashari ka rikujtuar ngjarjet e rëndësishme historike dhe ka theksuar ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë përmes luftës dhe sakrificës.

Postimi i plotë:

Më 9 shtator 2018, ish ministri i kasapit të Ballkanit-Millosheviqit, Vuçiq tentoi të provokonte në zemrën e Drenicës, në Banjën e Skenderajt, vendin ku Serbia kreu gjenocid në vitet 1998-1999.

Me lejen e institucioneve të asaj kohe, ai guxoi të hynte, por qytetarët dhe veteranët e luftës ia bënë të qartë se provokimet e tij nuk do të kalonin.

Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht.

Vuçiq nuk mund të hyjë më në Kosovë për të bërë provokime.

U deshën 24 vite që fëmijët tanë të ecin të lirë në veri, që Kosova të ketë sovranitet dhe ligj në çdo cep të saj.

Dhe mbi të gjitha, që askush të mos guxojë më të negociojë me territorin e Kosovës.

Për ata që dikur bënin plane për ndarje e shkëmbime territoresh, historia do të jetë e pamëshirshme.

Kosova nuk jep më asnjë pëllëmbë tokë.

Ata që sot e mbrojnë dhe e fuqizojnë Kosovën, janë ata që ia kanë kthyer dinjitetin dhe sigurinë qytetarëve të saj.

Skenderaj dhe Drenica kanë qenë gjithmonë mirënjohëse ndaj atyre që kanë punuar ndershmërisht për vendin.

Por Skenderaj ka nevojë për demokraci e ndryshim, për më shumë liri dhe mirëqenie, për një qeverisje që nuk shantazhon qytetarët dhe që nuk e përdor pushtetin për interesa të ngushta politike e grupore.

Kjo është arsyeja pse në Skenderaj mbështes opozitën dhe njerëzit që kundërshtojnë pushtetin aktual lokal.

Kosova është më e fuqishme se kurrë.

Qytetarët duhet të zgjedhin ata që larguan thikat nga hartat e Kosovës, ata që po e forcojnë dhe e integrojnë shtetin, ata që e mbrojnë me dinjitet dhe jo ata që dikur ishin gati ta ndanin bashkë me Vuçiqin.

B. J

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat