Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të së kaluarës për ndarje territoriale dhe provokime nga Serbia. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka kujtuar një ngjarje të vitit 2018, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq tentoi të vizitonte Drenicën dhe Skenderajn, vende ku Serbia kreu gjenocid në vitet 1998-1999. Ai theksoi se atëherë, qytetarët dhe veteranët e luftës ia bënë të qartë se provokimet e tij nuk do të toleroheshin.
Jashari theksoi se situata sot ka ndryshuar rrënjësisht dhe Vuçiq nuk mund të hyjë më në Kosovë për të bërë provokime. Ai nënvizoi se Kosova ka fituar sovranitetin dhe sundimin e ligjit në çdo cep të saj dhe askush nuk duhet të guxojë të negociojë për territorin e Kosovës.
“Kosova nuk jep më asnjë pëllëmbë tokë,” theksoi ai, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ndarje apo shkëmbim territoresh do të mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës.
Në postimin e tij, Jashari shprehu gjithashtu mirënjohje për ata që kanë punuar ndershmërisht për vendin, por vuri në dukje se Skenderaj ka nevojë për më shumë demokraci dhe liri. Ai kritikoi pushtetin aktual lokal, duke thënë se qeverisja nuk duhet të shantazhojë qytetarët dhe të përdorë pushtetin për interesa të ngushta politike apo grupore.
Bekim Jashari deklaroi se mbështet opozitën në Skenderaj dhe qytetarët që kundërshtojnë pushtetin aktual, duke theksuar se Kosova është më e fuqishme se kurrë.
“Qytetarët duhet të zgjedhin ata që larguan thikat nga hartat e Kosovës, ata që po e forcojnë dhe e integrojnë shtetin,” përfundoi ai.
Postimi i plotë:
Më 9 shtator 2018, ish ministri i kasapit të Ballkanit-Millosheviqit, Vuçiq tentoi të provokonte në zemrën e Drenicës, në Banjën e Skenderajt, vendin ku Serbia kreu gjenocid në vitet 1998-1999.
Me lejen e institucioneve të asaj kohe, ai guxoi të hynte, por qytetarët dhe veteranët e luftës ia bënë të qartë se provokimet e tij nuk do të kalonin.
Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht.
Vuçiq nuk mund të hyjë më në Kosovë për të bërë provokime.
U deshën 24 vite që fëmijët tanë të ecin të lirë në veri, që Kosova të ketë sovranitet dhe ligj në çdo cep të saj.
Dhe mbi të gjitha, që askush të mos guxojë më të negociojë me territorin e Kosovës.
Për ata që dikur bënin plane për ndarje e shkëmbime territoresh, historia do të jetë e pamëshirshme.
Kosova nuk jep më asnjë pëllëmbë tokë.
Ata që sot e mbrojnë dhe e fuqizojnë Kosovën, janë ata që ia kanë kthyer dinjitetin dhe sigurinë qytetarëve të saj.
Skenderaj dhe Drenica kanë qenë gjithmonë mirënjohëse ndaj atyre që kanë punuar ndershmërisht për vendin.
Por Skenderaj ka nevojë për demokraci e ndryshim, për më shumë liri dhe mirëqenie, për një qeverisje që nuk shantazhon qytetarët dhe që nuk e përdor pushtetin për interesa të ngushta politike e grupore.
Kjo është arsyeja pse në Skenderaj mbështes opozitën dhe njerëzit që kundërshtojnë pushtetin aktual lokal.
Kosova është më e fuqishme se kurrë.
Qytetarët duhet të zgjedhin ata që larguan thikat nga hartat e Kosovës, ata që po e forcojnë dhe e integrojnë shtetin, ata që e mbrojnë me dinjitet dhe jo ata që dikur ishin gati ta ndanin bashkë me Vuçiqin.
B. J