​KQZ tregon kur do të dihen votat e diasporës

Aktuale

​KQZ tregon kur do të dihen votat e diasporës

Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 21:06
Pamje nga takimi

Qytetarët e Kosovës në diasporë po votojnë në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në një konferencë për media, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka dhënë detaje nga procesi i votimit deri në orën 19:00 dhe mbyllja e vendvotimeve në disa shtete.

Radoniqi: Kanë votuar 14 mijë e 463 votues apo 71.16 për qind

“Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi dhe nga të dhënat që kemi për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 në SHBA dhe Kanada ju njoftojmë se në këtë proces zgjedhor kanë votuar 14 mijë e 463 votues apo 71.16 për qind. Më vonë mund të kemi të dhëna më të përgjithshme nga pjesëmarrja e votimit në përfaqësitë diplomatike pasi të përfundojë votimi edhe në këto dy shtete ”, tha Radoniqi.

Ai ka thënë se procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe se rezultatet do të dihen më së largu ditën e hënë.

Radoniqi: Nuk është paraqitur asnjë parregullsi

“Nuk është paraqitur asnjë parregullsi. I tërë procesi ka shkuar sipas planifikimit dhe pa asnjë problem... Fillimisht do të sigurohen në këtë ndërtesë dhe pasi të përfundojë fillimi i numërimit të nesërm, atëherë fillon numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Radoniqi.

Ai në emër të KQZ-së ka ftuar shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetues për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ftoi subjektet politike që të sillen konform ligjeve në fuqi.

Kujtojmë, për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 qytetarë.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërsa në Kanada dhe SHBA në orën 13:00, me kohën lokale të Kosovës.

Procesi mbahet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete: Austri, Belgjikë, Britani e Madhe, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Norvegji, SHBA, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Kjo është hera e parë që diaspora voton fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat