Një person është arrestuar në Mitrovicë të Jugut nën dyshimin se ka kërcënuar një person të komunitetit ashkali me largim të të bijës nga vendi i punës, nëse nuk e voton Listën Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Policia njofton se dyshimet janë se ai ka kërcënuar po ashtu të gjithë bashkëkombësit e tij me ndalesa të asistencës sociale.
“Në Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë është paraqitur ankuesi M/A/K, banues në Mitrovicë Jug, i cili ka deklaruar se para një jave e kishte ftuar në takim në një lokal i dyshuari M/R/K, i cili i kishte thënë ankuesit që ai të votonte për subjektin politik ,,Lista Serbe", në të kundërtën ai do ta largonte nga puna vajzën e ankuesit e cila ishte duke punuar në kompaninë publike të pastrimit të komunës në Mitrovicë Veri, njëkohësisht kandidate për deputete e një subjekti të këtij komuniteti për zgjedhjet parlamentare”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia njofton se sipas deklaratës së ankuesit, i dyshuari i kishte bërë presion që të gjithë bashkëkombësit e ankuesit të nacionalitetit ashkali nga Mitrovica Jug, të votonin subjektin politik ,,Lista Serbe".
"Në të kundërtën ai do t'ua ndalonte asistencën sociale dhe do ta largonte nga lista për deputete vajzën e tij përmes lidhjeve që kishte me subjektin politik në fjalë”, thuhet në njoftim.