Associated Press: Albin Kurti i pari

Aktuale

Associated Press: Albin Kurti i pari

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 00:01
Albin Kurti

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë që pritet të mbahen më nëntë shkurt, kanë zënë vend edhe në ballinat e mediave më të njohura ndërkombëtare. Agjencia e lajmeve, Associated Press shkruan se ky do të jetë testi kyç për kryeministrin Albin Kurti.

Sipas Associated Press Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit shihet si e para, por nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur sërish e vetme, duke lënë mundësinë e hapur për dy kandidatët e tjerë, nëse ai nuk arrin të formojë kabinetin qeverisës.

“Më 9 shkurt votojmë për të ardhmen..Votojmë Vetëvendosjen!” citohet deklarata e Kurtit.

“AP” raporton se konkurrentët e tjerë janë Partia Demokratike e Kosovës, apo PDK, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, partia më e vjetër në vend.

Gjatë fushatës zgjedhore, partitë kanë bërë premtime për rritjen e pagave në sektorin publik si dhe të pensioneve, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shërbimeve mjekësore, si dhe luftimin e varfërisë.

“Kemi plan për secilin qytet, secilen familje, secilin person” – ka thënë Bedri Hamza i PDK-së.

Lumir Abdixhiku i LDK-së në anën tjetër, ka premtuar: “Kemi alternativë për të garantuar një jetë më të mirë në Kosovë”.

Në anën tjetër, Kosova po përballet me pezullimin 90-ditor të mjeteve për disa projekte përmes USAID-it, agjencia amerikane që ka qenë kyçe në rritjen e shtetit. ShBA-të kanë investuar dy miliardë dollarë në Kosovë që nga viti 1999, duke përfshirë investime prej një miliard dollarë nga USAID.

Po ashtu, tutje thuhet se vota do të vendosë se kush do ta drejtojë Kosovën në bisedimet e ngecura për normalizim me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“AP” përmend mosmarrëveshjet e Kurtit me fuqitë perëndimore, kjo për shkak të disa veprimeve të Qeverisë në veri të vendit.

“Qeveria e re duhet të marrë hapa vendimtarë për ta rikthyer besueshmërinë dhe partneritetin me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë përmbushjen e të gjitha detyrimeve që dalin nga dialogu me Serbinë” – ka thënë analisti Ilir Deda.

Sa i përket mundësisë së zgjedhjes të një qeverie të re, një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka thënë agjencisë së lajmeve:

“BE pret që të punojë me Qeverinë e re të Kosovës për t’u përkushtuar në mënyrë konstruktive në dialogun e normalizimit me Serbinë. Kjo është qëndrore për integrimin e Kosovës dhe Serbisë”.

Në fund, theksohet se BE-ja dhe ShBA-të kanë kërkuar nga të dy palët të implementojnë marrëveshjet e arritura para dy viteve, duke përfshirë këtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat