Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo mbi 558 mijë votues, në zgjedhjet e sotme parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për media të dielën, tha se këto të dhëna janë nga 91,21 për qind e vendvotimeve.
Ai shtoi se në zgjedhjet e vitit 2021 deri në orën 15:00 kishin votuar 567 mijë e 934 votues.
Elezi: Deri në 15:00 votuan 28.32%
“Bazuar në të dhënat nga 2312 vendvotime nga 2533, pra të dhënat janë nga 91,21 për qind e vendvotime, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558 mijë e 246 votues nga 1.9 milionë votues. Deri të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshëm në vitin 2021 kishin votuar 32.2 për qind apo 567 mijë e 934 votues”, tha ai.
Krahas kësaj, Elezi tha se i tërë procesi zgjedhor po vazhdon pa probleme që cenojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve.
Mirëpo sipas tij, probleme janë shfaqur sa i përket votimit me kusht, por tha që përmes udhëzimeve nga KQZ-ja të njëjtat janë tejkaluar.
Elezi: Procesi zgjedhor po vazhdon pa probleme që cenojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve
“Procesi zgjedhor është duke vazhduar pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve. Në rastet kur është paraqitur ndonjë paqartësi KQZ-ja ka ndërhyrë dhe ka udhëzuar personat e autorizuar për të marrë hapat e duhur për procesin e votimit në vendvotime. Ka pasur sa i përket votimit me kusht, funksionimit të këtyre qendra me disa vonesa. Por pasi kemi përcjellë udhëzimet e nevojshme dhe ndërhyrjet që është dashur të bëhen janë tejkaluar dhe procesi ka vazhduar normalisht”, theksoi Elezi.
Krahas kësaj, ai tha se përkundër dilemave për fshirjen e ngjyrës materikuluese te votuesit, kjo nuk është masa e vetme që përdoret nga KQZ-ja për të garantuar procesin e votimit.
Elezi: Shenjat që vendosen në gishtin e një votuesi nuk është e vetmja masë që përdoret nga KQZ
“Shenjat që vendosen në gishtin e një votuesi nuk është e vetmja masë që përdoret nga KQZ-ja për të garantuar procesin e votimit. Të gjithë personat që votojnë duhet që pas identifikimin në votim të nënshkruani në hapësirën te emri i tyre për të konfirmuar se po marrin pjesë në votim. Ky nënshkrim ia pamundëson votuesit që të vjen të votojë sërish. Përveç kësaj edhe vendosja e kamerave në vendvotime i shërben ruajtjes së integritetit të procesit”, tha ai.
Në anën tjetër, Elezi, foli edhe për procesin e votimit nga mërgata, ku tha se dje në tridhjetë përfaqësitë diplomatike të Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75 për qind.
Sa i përket votimit me postë ai tha se kanë pranuar gjithsej 50 mijë e 226 pako të votave. Sipas tij, këto pako të fletëvotimeve do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit.
Elezi: Në 30 përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 votues
“Në tridhjetë përfaqësitë diplomatike të Kosovës kanë votuar 15 mijë 352 votues apo 75.54 për qind. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit përmes postës po ashtu ky proces ka përfunduar me 8 shkurt. Nga informacionet që kemi nga posta....Numri i pakove që është pranuar në këto kuti postare është 50 mijë e 226 por ky numër nuk është përfundimtar pasi të dhënat nuk janë nga të gjitha kutitë postare. Sipas procedurave këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, pra verifikimin nëse ato i takojnë votuesve të regjistruar. Ndërsa numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në QNR pas ditës së zgjedhjeve”, përfundoi ai.