LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Aktuale

LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 21:05 më 09.02.2025
Kutitë e votimit

Përditësimet e fundit nga KQZ - ja renditjet aktuale të partive

Deri tani janë numëruar mbi 23 për qind të votave, raporton "Bota sot".

Në faqen zyrtare të KQZ-së, janë paraqitur si më poshtë:

LVV: 55.77%

PDK: 25.39%

LDK: 8.99%

AAK: 5.00%

KQZ publikon rezultatet e para, këto janë përqindjet e partive

Nga: H.O.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar tashmë numërimin e rezultateve të zgjedhjeve të sotme, duke publikuar edhe rezultatet e para.

Nga këto rezultate Vetëvendosje prin bindshëm me 37%.

Pas saj vjen PDK me 25%, LDK-ja me 17%.

AAK-ja me Nismën me 8%.

Ndërkaq Lista Serbe me 4% dhe Koalicioni për Familjen me 1%.

Image

Fillon numërimi i votave nga KQZ, këtu mund ta ndiqni

Ka filluar numërimi i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Votimi për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë mbyllur në orën 19:00.

Më poshtë keni linkun ku mund t’i ndiqni 'live' numërimin e votave.

Shiko KËTU.

KQZ: Procesi i votimit i përmbyllur pa probleme, mbi 780 mijë qytetarë votuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se procesi i votimit është përmbyllur me kohë sipas parashikimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 2 mijë e 297 vendvotime apo nga 90.68% e tyre nga gjithsejtë 2 mijë e 533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë votuar 40.04% apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944”, tha Elezi.

Ai shtoi se menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike.

Elezi tha se procesi është zhvilluar në rregull dhe pa probleme që do ta cenonin integritetin e tij.

Nis numërimi i votave në qendrat e votimit

Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar numërimi i votave në këto qendra ku është organizuar procesi i sotëm zgjedhor.

Ekipi i kp po qëndron në një qendër votimi në kryeqytet, ku nga afër po përcjell procesin e votimit të numërimit të votave nga komisionerët.

Për herë të parë mediat e akredituara lejohen të vëzhgojnë procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor ka filluar në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. 

Përfundon procesi i votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Në orën 19 përfunduan zgjedhjet parlamentare në të cilat njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00.

Rreth 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.

LIVE REZULTATET

Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.

Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti.

Analistët serbë thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.

Përfundon procesi i votimit, KQZ del me detaje në orën 19:30

Është përmbyllur procesi i votimeve për zgjedhjet parlamentare në orën 19:00 në të gjitha vendvotimet në vend, teksa në disa qendra votimi po vazhdon ende, aty ku kanë mbetur qytetarë në radhë për të votuar.  

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues, derisa për herë të parë votën e tyre kanë mundur ta hedhin 125 mijë e 852 votues të rinj.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar konferencë për media në orën 19:30, ku do të prezantojë të dhënat e daljes së qytetarëve në këto zgjedhje.

Live rezultatet

DnV: Deri në orën 17:00 në votime dolën 38.9% e qytetarëve

Sipas raportimeve të Demokracisë në Veprim (DnV), procesi i votimit në Kosovë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të theksuara që nga hapja e vendvotimeve.

Deri në orën 17:00, 38.9% e qytetarëve me të drejtë vote, nga gjithsej 1,970,944 votues të regjistruar, e kanë shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar.

Dalja e votuesve ka qenë mbi mesataren në rajonin e Prishtinës, ku pjesëmarrja ka tejkaluar 46%, si dhe në rajonin e Ferizajt.

LIVE REZULTATET

Në rajonet e Gjilanit dhe Mitrovicës së Jugut DNV kanë raportuar një dalje mesatare, ndërsa rajonet e Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës kanë shënuar një pjesëmarrje nën mesatare.

DnV gjithashtu ka raportuar për disa vështirësi që kanë hasur votuesit për të gjetur emrin e tyre në listën zgjedhore dhe për të identifikuar vendvotimin e saktë.

Këto vështirësi mund të jenë rezultat i ndryshimeve në Qendrat e Votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Image

 

Ambasadori britanik shkon në Novobërdë, i lumtur që përcolli nga afër procesin e votimit

Sot qytetarët e Kosovës po e ushtrojnë të drejtën për të votuar.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shkuar në Novobërdë të Gjilanit, për të përcjellë nga afër procesin e votimeve.

“Kanë mbetur edhe 90 minuta për të shfrytëzuar të drejtën për të dalë dhe votuar”, ka shkruar ambasadori në Facebook ku ka shpërndarë edhe disa fotografi.

“Ishte e mrekullueshme të isha me ekipin tonë në Novobërdë dhe Gjilan, duke parë shumë njerëz nga komunitete të ndryshme duke bërë pikërisht këtë”, ka shkruar ai më tej.

LIVE REZULTATET

 

Mungesa e tavolinave informuese në qendrat e votimit shkakton konfuzion te qytetarët

Largimi i tavolinave informuese nga qendrat e votimit ka shkaktuar konfuzion te qytetarët, në zgjedhjet e sotme parlamentare. Një gjë e tillë nga ndodhur në qendrën e votimit “Shaban Hashani” në komunën e Ferizajt.

Kryesuesja e kësaj qendre, Hajrije Nebihu tha për kp se votimi në këtë qendër ka nisur me kohë, mirëpo problem ka qenë mungesa e tavolinës informuese për qytetarët e cila është larguar nga KQZ-ja.

Kjo sipas saj ka bërë që shumë qytetarë “të presin me orë të tëra dhe në fund të kuptojnë se s’kanë të drejtë vote këtu”.

Krahas kësaj, si problem për qytetarët ajo e shfaqi edhe mungesën e vendvotimeve në katin e parë, gjë e cila ka vështirësuar votimin në katin e dytë për personat më të moshuar.

Nebihu: Qytetarët me orë të tëra kanë pritur dhe në fund kanë kuptuar se nuk do të votojnë këtu

“Votimet kanë filluar me kohë dhe kemi qenë të përgatitur. I kemi gjashtë vendvotime, deri këtu jemi mirë por me disa pengesa dhe vërejtje që i kemi pasur. Mirëpo në përgjithësi procesi deri tani ka shkuar shumë mirë. Në katin e parë nuk kemi klasë, pra nuk kemi vendvotime. Sivjet na ka penguar shumë por ka qenë problem tavolina ndihmëse që është larguar nga KQZ-ja. Kemi raste të shumta që presin me orë dhe në fund kuptojnë se nuk do të votojnë këtu. Ky ka qenë problemi kryesor”, tha ajo.

Megjithatë, ajo tha se deri në orën 15:00 në këtë qendër kanë votuar 1 mijë e 602 votues nga gjithsej 5 mijë e 115 qytetarë me të drejtë vote.

Nebihu: Vërehet një fluks më i madh për të votuar

“Deri në orën 15:00 kemi pasur 1 mijë e 602 votues me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 vërehet një fluks më i madh”, theksoi Nebihu.

Në Ferizaj të drejtë vote kanë 118 mijë e 288 votues, në 44 qendra të votimit me 152 vendvotime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat