Votimet e organizuara të Listës Serbe, gazetari serb zbardh prapaskenat: Tendencë e Serbisë për të...
Gazetari serb në Kosovë, Radomir Dimiq i cili sot ka votuar në Prishtinë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa”, thotë se kjo është hera e tretë e tij që merr pjesë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Dimiq i cili votoi sot bashkë më vajzën e tij për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit tha se zgjedhjet në Kosovë dallojnë prej atyre në Serbi, pas sipas tij këtu ka pluralizëm derisa në Serbi ka një sistem të autoritarizmit.
Dimiq: Dua të cek që është ky obligimi im patriotik, qytetar, moral, por edhe etik
“Kjo në Kosovë është e treta herë që jam duke votuar. E çka janë zgjedhjet për mua në Kosovë, e çfarë rëndësie kanë zgjedhjet për mua. Unë dua të cek që është ky është obligimi im patriotik, qytetar, moral, por edhe etik. Kur janë në pyetje zgjedhjet e Kosovës kjo është dita e festës së demokracisë. Këtu në Kosovë, në krahasim me Serbinë e kemi një pluralizëm që ekziston. Që për shembull në Serbi nuk e kemi. Atje e kemi një sistem autokratik, një sistem të autoritarizmit, i kemi deformimet dhe shumë gjëra që nuk pranohen në Evropë. Ashtu qysh zgjedhjet zhvillohen në Serbi”, tha Dimiq.
Sot është raportuar se Lista Serbe ka dalë për të votuar në mënyrë të organizuar, e për këtë Dimiq thotë se ajo është instaluar për t’iu bërë problem dhe dëm qytetarëve serbë në Kosovë dhe vetë shtetit të Kosovës.
Dimiq: Në të ardhmen shteti i Kosovës duhet të mendojë çka e si të reagojë
“Ajo është e pritshme kur është në pyetje lista e serbëve…Ballë kësaj Listës Serbe ka qenë Radoiçiqi krimineli më i madh. Kjo listë është e favorizuar nga shteti (serb) dhe e instaluar për t’i bërë problem dhe dëm qytetarëve serb (në Kosovë) po ashtu edhe shtetit të Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Unë besoj që në të ardhmen shteti i Kosovës duhet të mendojë çka e si të reagojë që mos t’i ndajë qytetarët e veriut të Kosovës në pjesën e Aleksandër Vuçiqit dhe pjesën e atyre që nuk janë pjesë e politikës së Aleksandër Vuçiqit”, potencoi Dimiq.
Në procesin e votimit të drejtë vote kanë 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi voton në Kosovë
Sot qytetarët e Kosovës po e ushtrojnë të drejtën për të votuar, shkruan "Bota sot".
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, përmes një postimi në Facebook ka shkruar “në krye të detyrës”, duke lënë të nënkuptohet se ka ushtruar të drejtën e votës.
Në fotot e publikuara, ai shihet para objektit të Gjimnazit "Skënderbeu" në Kaçanik.
Postimi i plotë:
Në krye të detyrës...
Kosova në zgjedhje për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.
T'u prift mbarë Kosovë!
Nikollë Camaj
Eman Rrahmani shfrytëzon të drejtën e votës
Kosova sot po voton.
Drejtuesi i Koalicionit për Familje, Eman Rrahmani, ka hedhur votën e tij.
Ai ka votuar në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Rrahmani ishte i shoqëruar me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Të dhënat e KQZ-së: Ja sa qytetarë të Kosovës votuan deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës për procesin zgjedhor që është duke u mbajtur në vendin tonë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi po vazhdon pa ndonjë problem.
“Duke u mbështetur në informacione komunale, procesi po vazhdon normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem”, tha ai.
Radoniqi tregoi se deri në ora 11:00 kanë votuar 169 mijë e 32 votues, apo 8.58 përqind e votuesve.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në ora 19:00, ku të drejtë vote kanë 1,970,944.
Detaje rreth daljes së qytetarëve në votime mund të gjeni duke klikuar KËTU.
Këto janë adresat e 38 qendrave për votimin me kusht
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit me kusht ka pësuar një ndryshim.
Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të lejohet në çdo qendër votimi si në proceset e kaluara zgjedhore. Me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi.
Në të gjithë Kosovën janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 56 Vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.
“Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë. KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objective nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar. Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara”, thuhet në një njoftim të KQZ-së.
Kjo është lista dhe adresat e qendrave të votimit për votimin me kusht më 9 shkurt 2025:
Lista
Voton Limaj, e quan ditë të demokracisë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pasi ka hedhur votën e tij për këtë proces zgjedhor, 9 shkurtin e ka quajtur ditë të rëndësishme për demokracinë kosovare.
“Jemi krenar që kemi një demokraci funksionale, një demokraci ku respektohen rregullat dhe ligji, një demokraci ku qytetari i Republikës lirshëm voton.
Sot qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i japin drejtim Kosovës.
Shpresoj që secili nga ne do të vendosë për të mirën e Kosovës”, tha ai në një deklarim për media pas procesit të votimit në Prishtinë.
I shoqëruar nga bashkëshortja, voton Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tashmë ka hedhur votën e tij.
Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi.
Kandidat për kryeministër nga PDK është Bedri Hamza.
Kujtojmë, se zgjedhjet po vazhdojnë.
“E fotografoi qytetarin tjetër duke votuar”/ Arrestohet një votues në Podujevë, sulmoi zyrtarët policorë
Një person është arrestuar në SHFMU “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, pasi dyshohet se e ka fotografuar votën dhe pastaj i ka sulmuar zyrtarët policorë.
Detaje në lidhje më këtë ka dhënë drejtoresha e shkollës “Xheladin Rekaliu”, Arjeta Bashota.
Ajo ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 7:40, ku një qytetar e ka fotografuar qytetarin tjetër duke votuar.
“Rreth orës 07:43 minuta është parë një qytetar duke e fotografuar qytetarin tjetër duke votuar, pastaj është ndaluar nga Policia, mnë ndërkohë është bashkuar edhe qytetari i dytë. Policia ka kërkuar që t’i shohë fotografitë dhe të fshihen, ku personi i dytë ka qenë agresivë ndaj policëve duke i shtyrë, ku ka filluar konfrontimi. Pastaj policët janë detyruar të përdorin sprej dhe ta arrestojnë qytetarin”, ka potencuar Bashota.
Mes tjerash, ajo ka bërë të ditur se dy policët kanë pësuar lëndime.
Arrestohet një i dyshuar për fotografim të fletëvotimit në Gjilan
Një person është arrestuar në Gjilan pasi dyshohet se e ka fotografuar fletëvotimin derisa ka qenë brenda kabinës së votimit.
Ai është intervistuar dhe më pas rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Këto informacione i konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Më datë 09.02.2025 rreth orës 07:35,Policia e Kosovës është njoftuar se brenda një qendre votimi e cila gjendet në Gjilan, nga vëzhguesit e qendrës është vërjetur një votues ku dyshohet se ka fotografuar fletën e votimit derisa ka qenë brenda kabinës së votimit. Konform obligimeve ligjore dhe autorizimeve zyrtare, zyrëtarët e PK-së kanë arrestuar të dyshuarin brenda qendrës së votimit dhe i njëjti është shoqëruar nga hetuesit rajonal në lokalet e NJHP-së ku edhe është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës. Pas intervisitmit Prokurorit i Shtetit ka urdhëruar që rasti ,, Cenimi i fshehtësisë së votimit’’ Neni.215 të prcedohet në procedur të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet.”
Votimet në shkollën “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë
Një ndër shkollat me numrin më të madh të votuesve me të drejtë vote është shkolla fillore “Arkitekt Sinani” në komunën e Mitrovicës. Mbi 12.000 votues është numri i tyre që pritet të votojnë gjatë ditës së sotme.
Menaxher i kësaj shkolle, Sami Rama tregoi se deri më tani nuk ka parregullsi dhe gjithçka sipas tij po shkon mirë.
Rama: Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem
“Ecuria e procesit zgjedhor është duke shkuar normal pa telashe. Procesi zgjedhor ka filluar me kohë, materiali ka ardhur me kohë dhe të gjithë përfaqësuesit kanë qenë me kohë në vendin e vet. Për momentin numri i qytetarëve është duke u rritur dhe pritet të votojnë me numër më të madh. Deri më tash nuk ka pasur asnjë problem”, ka deklaruar ai.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.