Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.96 për qind apo 316.016 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ky rezultat preliminar i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 91.47 për qind të vendvotimeve. Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.
Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind apo 172.953 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind apo 135.976 vota të fituara.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.56 për qind apo 58.307 vota.
Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 3.95 për qind apo 30.440 vota.
Në orët e para të 10 shkurtit, udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhje.
Ai iu tha simpatizantëve të partisë së tij të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinë se “do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera”.
PDK-ja është shprehur e lumtur me rezultatin zgjedhor, duke e quajtur “rezultat të madh”. Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë në paraqitje para mediave më 9 shkurt tha se ndonëse nuk është rezultati që ky subjekt ka pritur, do ta respektojnë.
Lista Serbe që ishte në garë me pesë parti të tjera nga radhët e komunitetit serb për dhjetë ulëset e garantuara në Kuvendin e Kosovës për këtë komunitet, tha se i ka fituar të dhjetë ulëset.
Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thanë se ky rezultat preliminar krijon një situatë të paqartë lidhur me ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, por edhe kush do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.
LVV-ja gjatë fushatës ka përjashtuar mundësinë e formimit të koalicioneve paszgjedhore me partitë aktuale opozitare. LDK-ja dhe AKK-ja kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërkaq PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore./REL