LIVE: Numërimi i votave të kandidatëve përfundoi në pesë komuna, po vazhdon në 29 të tjera

Aktuale

LIVE: Numërimi i votave të kandidatëve përfundoi në pesë komuna, po vazhdon në 29 të tjera

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 20:08 më 14.02.2025
Foto ilustrim

Misioni i BE-së po vazhdon ta monitorojë numërimin e votave

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, përmes një postimi në platformën ‘X’, ka bërë të ditur se vëzhguesit e këtij misioni janë të vendosur në tërë vendin.

Po ashtu, në postim bëhet e ditur se, të njëjtit janë duke raportuar në mënyrë të vazhdueshme tek ekipi qendror i misionit mbi procesin e rinumërimit të votave.

Postimi:

“Të vendosur në mbarë Kosovën, vëzhguesit tanë afatgjatë vazhdojnë të ofrojnë përditësime të vazhdueshme për ekipin kryesor të misionit për procesin e rinumërimit.

Vëzhgimi i numërimit të votave është një aspekt i rëndësishëm i një misioni vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në postim. 

KQZ: Numërimi i votave të kandidatëve përfundoi në pesë komuna, po vazhdon në 29 të tjera

Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë ditës së premte procesi i numërimit të votave të kandidatëve ka filluar edhe në komunat si: Dragash, Istog, Rahovec, Pejë, Podujevë, Klinë, Malishevë dhe Graçanicë.

Sipas KQZ-së, gjatë ditës së premte ka përfunduar procesi i numërimit në QKN-të e komunave: Hani i Elezit, Shtërpcë, Partesh, Ranillug dhe Junik, derisa po vazhdon në 29 komuna të tjera.

Numërimi në komuna ka filluar sipas këtyre datave:

11 shkurt 2025 – Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh;

12 shkurt 2025 – Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit;

13 shkurt 2025 – Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.

Në QKN-të e komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mamushë, nuk ka filluar ende numërimi, por për këtë do të ketë njoftim me kohë.

KQZ: Përfundon numërimi i votave të kandidatëve në katër komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunën e Hanit të Elezit, Shtërpcës, Parteshit dhe Ranillugut.

KQZ tutje bën të ditur se deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.

“Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Hani i Elezit, Shtërpcë, Partesh dhe Ranillug”, thuhet në njoftim.

“Në përgjithësi, nga të dhënat që kemi pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 26 komuna (4 prej të cilave filluan numërimin më 11 shkurt, 14 tjera pasditen e 12 shkurtit dhe 8 më 13 shkurt) deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime”.

Numërohen 385 vendvotime në 26 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga të dhënat që kanë pranuar nga Qendrat Komunale të Numërimit në 26 komuna deri më 13 shkurt janë numëruar 386 vendvotime.

Ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka nisur procesi i numërimit të votave për deputetë edhe në dy komuna të tjera, në Istog e Rahovec, gjersa kanë bërë të ditur se pasdite nga ora 16:00 numërimi do të fillojë edhe në dy komuna të tjera, në Pejë dhe Podujevë.

“Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës. Mëngjesin e së premtes (14 shkurt) ky proces ka filluar edhe në komunën e Istogut dhe Rahovecit. Gjatë pasdites, në orën 16:00, planifikohet që numërimi të fillojë në QKN-të në komunat Pejë dhe Podujevë”, thotë KQZ-ja.

Fillimisht numërimi nisi në komunat, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh më 11 shkurt.

Më 12 shkurt numërimi filloi edhe në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.

Ndërkaq më 13 shkurt filloi në  Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.

Procesi i numërimit të votave siç ka bërë të ditur kreu i KQZ-së pritet të marr kohë deri në dy javë.

Fillon numërimi në Istog e Rahovec, pasdite edhe në Pejë e Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka nisur procesi i numërimit të votave për deputetë edhe në dy komuna të tjera, në Istog e Rahovec, gjersa kanë bërë të ditur se pasdite nga ora 16:00 numërimi do të fillojë edhe në dy komuna të tjera, në Pejë dhe në Podujevë.

“Është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës. Mëngjesin e së premtes ky proces ka filluar edhe në komunën e Istogut dhe Rahovecit. Gjatë pasdites, në orën 16:00, planifikohet që numërimi të fillojë në QKN-të në komunat Pejë dhe Podujevë”, thotë KQZ-ja.

Fillimisht numërimi nisi në komunat, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh më 11 shkurt.

Më 12 shkurt numërimi filloi edhe në Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit.

Ndërkaq, më 13 shkurt filloi në  Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.

Procesi i numërimit të votave siç ka bërë të ditur kreu i KQZ-së pritet të marrë kohë deri në dy javë.

KQZ e sqaron prapë pse nuk janë shfaqur 100% e rezultateve preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka sqaruar sërish se pse nuk janë shfaqur rezultatet preliminare nga 100% e vendvotimeve.

"Në platformën elektronike të rezultateve preliminare janë përditësuar të dhënat për 99.72% apo 2,526 vendvotime nga 2,533 vendvotime.

Pra, kanë mbetur pa u procesuar vetëm të dhënat nga 7 vendvotime. Kjo gjë do të bëhet pasi të hapen për numërim kutitë e votimit në të cilat ndodhen formularët e rezultateve të subjekteve politike", thonë nga KQZ.

Sipas KQZ-së, angazhimi i KQZ-së është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, por gjithashtu do të përditësohen edhe të dhënat nga rezultatet preliminare për subjektet politike nga të gjitha vendvotimet.

Vazhdon numërimi i votave në Gjakovë, sistemi shkakton ndërprerje

Numërimi i votave në Gjakovë, i cili ka filluar mbrëmë, po vazhdon. Pavarësisht disa ndërprerjeve të shkaktuara nga problemet me sistemin, numërimi po vazhdon në 37 qendra votimi me 146 vendvotime.

Në Qendrën Komunale të Numërimit, ka nisur verifikimi dhe numërimi i votave për subjektet politike dhe kandidatët për deputet nga partitë e ndryshme. Komisionerët dhe vëzhguesit janë duke skanuar votat e kandidatëve për deputet.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) të Gjakovës, janë gjithsej 37 qendra të votimit me 146 vendvotime që presin të numërohen, pasi procesi i numërimit ka filluar dje në orët e mbrëmjes. Amir Rexhaj, zyrtar i KKZ-së në Gjakovë, deklaroi se deri tani janë numëruar dhe procesuar 9 vendvotime, por disa herë gjatë ditës ka pasur ndërprerje të numërimit për shkak të problemeve me sistemin.

Për herë të parë, procesi i verifikimit të votave dhe numërimi i votave për kandidatët për deputet po zhvillohet në hapësirat e Qendrës Komunale të Numërimit, në Palestrën e Sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë.

Nis numërimi i votave për kandidatët për deputetë edhe në Prizren

Ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë edhe në Prizren.

Numërimi po bëhet në sallën e sportit "Sezair Surroi" në Prizren.

Numërimi i votave po bëhet në 15 tavolina të veçanta.

Kujtojmë se, anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar që sa më shpejtë që është e mundur të bëhet publikimi i rezultateve të kandidatëve për deputetë nga vendvotimet që deri më tani janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit.

Përfundon numërimi i 22 kutive me votat për deputetë nga 258 në Prishtinë

Ka përfunduar numërimi i 22 kutive në të cilat janë të vendosura votat për kandidatët për deputetë. Në përgjithësi janë 258 kuti të cilat do të vendosin se kush nga këta kandidatë do të kenë vendin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka raportuar gazetarja e Edona Podvorica në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Qendra Komunale e Numërimit  në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Ajo ka thënë se KQZ po përgatit një plan B për procesin e numërimit të votave, e cila parasheh rregullimin e serverit për të gjitha komunat. Ende nuk dihet se kur do të nisë numërimi i votave për kandidatë për deputetë për 12 komuna, sepse sipas KQZ-së, po bëhen gati ende për përgatitjet teknike e administrative.

“Plani B”, sipas KQZ-së do të nënkuptonte që evidentimi i rezultateve të bëhet sikur në të kaluarën në formularë të rezultateve për subjekte politike dhe formularë të rezultateve të kandidatëve, dhe jo siç ka filluar tani të bëhet duke u krijuar formularët digjital.

E më herët kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se procesi i numërimit të votave mund të zgjasë deri në dy javë.

​Për kaq ditë do të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

Përfundimi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit pritet të merr kohë deri në dy javë.

Kështu ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili shtoi se në të njëjtën periudhë kohore do të bëhet edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora.

KQZ sot në mbledhjen e radhës njoftoi për anulimin e 529 zarfeve me fletëvotime nga diaspora për shkak të parregullsive. Ndërkaq, u theksua se numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka nisur në 18 komuna, ndërkaq në tetë të tjera do të nisë sot.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se meqenëse s’ka nisur me kohë numërimi në të gjitha qendrat komunale ky proces pritet të përmbyllet brenda dhjetë dite apo maksimumi dy javë.

Radoniqi: Procesi i numërimit të votave për deputetë mund të zgjasë deri në dy javë

“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha qendra komunale të numërimit dhe me pa edhe atje si po shkon procesi nuk kemi bërë një vlerësim sesa do të zgjatet i tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi. Por e përafërt do të jenë diku dhjetë ditë deri në dy javë po besoj”, tha ai.

Ai foli edhe për “sulmin apo ndërhyrjen” në sistemin e KQZ-së, ku tha se kjo çështje është në duart e prokurorisë dhe policisë, dhe sapo të marrin raportin nga këto dy institucione do të dalin me qëndrim.

Radoniqi: Kemi dyshime për ndërhyrje në sistemin e KQZ-së

“Kjo çështje tash është në duart e policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ata, ne nuk do të japim asnjë informacion, pasi nuk i kemi. I kemi disa dyshime tona, por ato dyshime janë adresuar në polici dhe ata do të japin raportin”, tha Radoniqi.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, tha se vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale po ndodh për shkaqe teknike.

Buzhala: Gjithsej janë numëruar 114 vendvotime

“Numërimi në Qendrat komunale të numërimit të fletëvotimeve për kandidatë për fletëvotimet e rregullta ka filluar në 18 komuna. Katër prej të cilave ka filluar me datën 11 shkurt 2025 dhe 14 të tjera më 12 shkurt 2025. Në këto 18 komuna ku ka filluar numërimi gjithsejtë janë numëruar 114 vendvotime nga 1.196 vendvotime gjithsej, ndërsa sot pritet të fillojë numërimi në tetë komuna të tjera”, tha ai.

Krahas kësaj, Buzhala bëri të ditur se KQZ-ja ka anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora për shkak, siç u tha, parregullsive të shfaqura.

Buzhala: Janë anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora

“Nga data 9 shkurt deri sot në orën 12:00 janë vlerësuar sot 8.766 zarfe, ku prej tyre 8 mijë e 247 zarfe me fletëvotime me votime janë aprovuar, ndërsa 529 zarfe me fletëvotime janë refuzuar. Këto kanë ndodhur për arsye si në vijim: 319 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit nuk janë regjistruar në periudhën e aplikimit, 34 zarfe janë refuzuar për shkak se ka pasur më shumë se një fletëvotim brenda një zarfi. Pesë zarfe janë anuluar për shkak se mungon vula apo pulla postare, 16 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit kanë dërguar fletëvotime nga shtete të ndryshme nga shteti që janë regjistruar. Ndërkaq, 50 zarfe janë refuzuar për shkak se brenda zarfit ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit dhe jo fletëvotimi”, tha ai.

Në lidhje me këto të dhëna reaguan anëtarët e KQZ-së nga partitë politike, ku anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, tha se KQZ-ja duhet të fillojë nga sot publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë.

Elshani: KQZ duhet të fillojë sot publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë

“Ky është një shqetësim jo vetëm i anëtarëve të KQZ-së, por i të gjithë opinionit publik dhe kandidatëve dhe subjekteve e qytetarëve që të dihet se ku ka përfunduar vullneti i tyre i shprehur në ditën e zgjedhjeve. Është më se e nevojshme një alarmim i KQZ-së në lidhje me procesin e transparencës në raport me daljen e votuesve, numrin e përgjithshëm të votuesve dhe votat e kandidatëve... Unë insistoj dhe kërkoj që kjo të bëhet që nga sot. KQZ-ja të fillojë publikimin e rezultateve të kandidatëve. S’ka kohë më për t’u humbur. Sa më shumë që ka vonesa aq më e madhe është pakënaqësia dhe presioni pasi krijohet pabesi në raport me institucionin”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti, kërkoi nga sekretariati të ketë një plan B për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në rast se bie sërish sistemi elektronik.

Hamiti: Të ketë një plan B për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë

“Po shihet se në planin operacional dhe pjesën e funksionalizimit të QKN-ve nuk jemi në kohë. Edhe ato që i kemi hap janë hapur me vonesë dhe me probleme të theksuara. Unë nuk jam mjeshtër i IT-së, as rrjetit e as sulmeve kibernetike. Ne si trup jemi KQZ dhe kemi obligim me kryer punën tonë për numërimin e votave pasi dikush pret”, theksoi ai.

Mirëpo, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, tha se procesi i numërimit të votave po shkon mirë. Ai tha se një pjesë e kritikave për vonesa është tërësisht i gabuar.

Krasniqi: Një pjesë e kritikave për KQZ-në është i gabuar

“Një pjesë e këtyre kritikave apo perceptimit që është krijuar për këtë proces zgjedhor është tërësisht i gabuar. Ne çdo herë kur organizojmë zgjedhje të reja harrojmë qysh kemi kaluar në zgjedhjet e mëparshme. Mua më kujtohet prej vitit 2010 me vjedhjet industriale të votave që kanë ndodhur dhe e dina se s’ka mbetur kuti pa u prekur dhe janë pranuar zgjedhjet. Në vazhdimësi në vitet e mëparshme ka pasur rregullsi dhe asnjë proces zgjedhor s’ka përfunduar pa 1 muaj e gjysmë. Sot jemi në një situatë me gjithë vështirësitë teknike që i kuptojnë dhe tentimet për të sulmuar sistemin mendoj se sot kur shkon në qendra komunale të numërimit vëreni një transparencë të paparë asnjëherë kurrë më parë...Kandidatët e subjekteve le të pijë dikush bensedin dhe dikush le të duron, pasi rezultati është në kuti dhe ai do të bëhet publik. Në mars ata kanë me ditur fatin e tyre në këto zgjedhje... Në lidhje me atë që është bërë natën e zgjedhjeve ka qenë problem teknik. Futja e të dhënave është bërë prej njerëzve të thjesht dhe gabimi ka qenë se dy persona kanë futur shifra përtej asaj që ka qenë e logjikshme”, theksoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat