LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Aktuale

LIVE: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë, këto janë votat për partitë e tjera - Nis numërimi i votave për deputetë

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 16:52 më 09.02.2025
Kutitë e votimit

Shefja e misionit monitorues të BE-së shkon në Graçanicë, vëzhgon nga afër procesin zgjedhor

Sot qytetarët e Kosovës po e ushtrojnë të drejtën për të votuar.

Nathalie Loiseau, shefja e misionit të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka qenë në një qendër të votimit në Graçanicë.

Në një postim në platformën X, theksohet se qendra e votimit në fjalë ishtë “Kralj Milutin”.

Ndër tjera, shtohet se në fund u mbajt edhe një konferencë për media.

KQZ: Jashtë ngjyrës, kemi masa tjera të sigurisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi i zgjedhjeve në Kosovë është duke shkuar mirë, pa ndonjë problem që do të mund ta cenonte mbarëvajtjen e tij.

Zëdhënësi Valmir Elezi foli për shqetësimet e ngritura nga disa media, se ngjyra që i vihet në gisht qytetarit pas votimit, fshihet shpejt.

Ai tha se kjo nuk është e vetmja masë e sigurisë që aplikon KQZ-ja.

"Të gjithë personat që votojnë, pasi që identifikohen me një dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, nënshkruajnë në hapësirën tek emri i tyre, pasi votojnë. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi të votojë sërish", tha Elezi./REL

Kjo komunë e Kosovës po thyen rekord me vota, gati 50%

Sot qytetarët e Kosovës po e ushtrojnë të drejtën për të votuar.

Komuna e Ranillukut është e para në Republikën e Kosovës me dalje të votimeve.

Deri më tani, 47.09% të njerëzve me të drejt vote kanë dal në votime.

Image
Votimi

Nga 5,069 deri më tani kanë dal 2,387 persona. 

KQZ: Mbi 28.32% ishte pjesëmarrja deri në orën 15:00

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo mbi 558 mijë votues, në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për media të dielën, tha se këto të dhëna janë nga 91,21 për qind e vendvotimeve.

Ai shtoi se në zgjedhjet e vitit 2021 deri në orën 15:00 kishin votuar 567 mijë e 934 votues.

Elezi: Deri në 15:00 votuan 28.32%

“Bazuar në të dhënat nga 2312 vendvotime nga 2533, pra të dhënat janë nga 91,21 për qind e vendvotime, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558 mijë e 246 votues nga 1.9 milionë votues. Deri të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshëm në vitin 2021 kishin votuar 32.2 për qind apo 567 mijë e 934 votues”, tha ai.

Krahas kësaj, Elezi tha se i tërë procesi zgjedhor po vazhdon pa probleme që cenojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve.

Mirëpo sipas tij, probleme janë shfaqur sa i përket votimit me kusht, por tha që përmes udhëzimeve nga KQZ-ja të njëjtat janë tejkaluar.

Elezi: Procesi zgjedhor po vazhdon pa probleme që cenojnë mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve

“Procesi zgjedhor është duke vazhduar pa probleme që do të cenonin mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve. Në rastet kur është paraqitur ndonjë paqartësi KQZ-ja ka ndërhyrë dhe ka udhëzuar personat e autorizuar për të marrë hapat e duhur për procesin e votimit në vendvotime. Ka pasur sa i përket votimit me kusht, funksionimit të këtyre qendra me disa vonesa. Por pasi kemi përcjellë udhëzimet e nevojshme dhe ndërhyrjet që është dashur të bëhen janë tejkaluar dhe procesi ka vazhduar normalisht”, theksoi Elezi.

Krahas kësaj, ai tha se përkundër dilemave për fshirjen e ngjyrës materikuluese te votuesit, kjo nuk është masa e vetme që përdoret nga KQZ-ja për të garantuar procesin e votimit.

Elezi: Shenjat që vendosen në gishtin e një votuesi nuk është e vetmja masë që përdoret nga KQZ

“Shenjat që vendosen në gishtin e një votuesi nuk është e vetmja masë që përdoret nga KQZ-ja për të garantuar procesin e votimit. Të gjithë personat që votojnë duhet që pas identifikimin në votim të nënshkruani në hapësirën te emri i tyre për të konfirmuar se po marrin pjesë në votim. Ky nënshkrim ia pamundëson votuesit që të vjen të votojë sërish. Përveç kësaj edhe vendosja e kamerave në vendvotime i shërben ruajtjes së integritetit të procesit”, tha ai.

Në anën tjetër, Elezi, foli edhe për procesin e votimit nga mërgata, ku tha se dje në tridhjetë përfaqësitë diplomatike të Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75 për qind.

Sa i përket votimit me postë ai tha se kanë pranuar gjithsej 50 mijë e 226 pako të votave. Sipas tij, këto pako të fletëvotimeve do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit.

Elezi: Në 30 përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 votues

“Në tridhjetë përfaqësitë diplomatike të Kosovës kanë votuar 15 mijë 352 votues apo 75.54 për qind. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit përmes postës po ashtu ky proces ka përfunduar me 8 shkurt. Nga informacionet që kemi nga posta....Numri i pakove që është pranuar në këto kuti postare është 50 mijë e 226 por ky numër nuk është përfundimtar pasi të dhënat nuk janë nga të gjitha kutitë postare. Sipas procedurave këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, pra verifikimin nëse ato i takojnë votuesve të regjistruar. Ndërsa numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në QNR pas ditës së zgjedhjeve”, përfundoi ai.

Sa për qind e qytetarëve votuan deri në ora 15:00?

Nëse krahasohet me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në ora 15:00 ishte më e vogël.

Para katër vjetësh, deri në këtë orë ishte mbi 32%.

Image

 

Qendra e votimit në Gjilan “Abaz Ajeti” ballafaqohet me mungesë stafi te tavolina informuese

Edhe në komunën e Gjilanit, procesi zgjedhor po kalon kryesisht mirë dhe pa probleme të theksuara. Qysh në mëngjes një votues është intervistuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka fotografuar fletëvotimin brenda kabinës së votimit.

Gjatë qëndrimit të ekipit të KosovaPress-it, në qendrën më të madhe në këtë komunë “Abaz Ajeti”, shihej interesim i madh për votim. Në këtë qendër votimi mund të votojnë 13 mijë e 313 votues në gjithsej 15 vendvotime.

Menaxheri i kësaj qendre, Arsim Bejtullahu tha se deri në orën 11:00 votuan mbi 1 mijë qytetarë, ndërsa deri në ora 15:00 pritet që ky numër të arrijë në 3 mijë.

Bejtullahu: Gjithçka në rregull, nis të rritet numri i votuesve

“Gjithçka ka shkuar në rregull duke u pajisur të gjitha vendvotimet me materialin e nevojshëm dhe duke mos pasur mungesa të komisionarëve. Deri në ora 11:00 kanë qenë diku mbi 1 mijë votues….po besohet që ka arritur rreth numrit 3 mijë…..Vizualisht po shihet se ka një interesim më të rritur… Ka që një orë e gjysmë që ka filluar të rritet numri i votuesve në këtë qendër”, theksoi ai.

Lidhur me rastin e fotografimit të fletëvotimit, Bejtullahu tha se me këtë çështje po merret Policia e Kosovës.

Bejtullahu: Policia po merret me çështjen e fotografimit të fletëvotimit

“Nuk jam i njoftuar, për atë çështje me rastin po merret Policia”, tha Bejtullahu.

Qendra më e madhe e votimit në Gjilan “Abaz Ajeti” është ballafaquar edhe me mungesë të stafit te tavolina informuese.

Bejtullahu: Në mëngjes ka pas shqetësime rreth tavolinës ndihmëse

“Nuk ka pasur tjera parregullsi meqenëse edhe ai tentim i fotografimit të votës është trajtuar ashtu si duhet. Kemi pasur në mëngjes shqetësime rreth tavolinës ndihmëse ku kemi pas numër më të vogël të personelit aty, por tani kemi arritur që me një person që e kemi aty të sistemojmë punën pak më ndryshe dhe siç po shihet njerëzit tani më lehtë po u drejtohen vendvotimeve… Ka pasur sepse është zvogëluar dukshëm, kanë qenë 6, tani janë 1, megjithatë kemi arritur të organizojmë punën”, theksoi ai.

Të drejtë vote në komunën e Gjilanit kanë gjithsej 103 mijë e 616 qytetarë të cilët mund të votojnë në 37 qendra të votimit me gjithsej 129 vendvotime.

Numri i qendrave të votimit është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Deri në orën 15:00 në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan votuan mbi 3 mijë qytetarë

Po vazhdon procesi i votimit në qendrën më të madhe të votimit “Thimi Mitko” në Gjilan.

Në këtë qendër të votimit deri në ora 15:00 kanë votuar 3905 qytetarë.

Ndryshe, në këtë komunë, do të jenë të hapura 37 qendra votimi me 129 vendvotime të rregullta dhe një qendër votimi me kusht.

Image
“Thimi Mitko” në Gjilan

Në total, të drejtë vote do të kenë 103,616 qytetarë.

Shtime: Dyshohet se buka u mbështoll me fletë që i ngjason fletëvotimit

KALLXO.com ka pranuar informatën se në qendrën e votimit “Naim Frashëri” në Shtime, dyshohet se dreka që ishte porositur për vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëra prej tyre ishte mbështjellur me një fletë që i ngjason fletëvotimit.

Aty është shënjuar në kolonat për katër kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Fleta që i ngjason fletëvotimit duket se është plotësuar tek numri 1,3, 48 dhe 73.

Drejtori i shkollës “Naim Frashëri” me numër 2201, njëherësh menaxher i qendrës së votimit, Rexhep Hasani tha se janë duke u përpjekur të gjejnë se kush e ka lënë.

“Para 5 minutave e kemi gjet. është gjet në ushqimin në këto keset. Jemi t`u përpjekë me kqyr kush e ka lonë . Tash do i kryej të gjitha obligimet për raportime më tutje”- tha ai.

Ndërsa, Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime tha se nuk kanë “asgjë” dhe le ta trajtojnë Policia.

“Na nuk kemi informata deri me tani. Nuk më është raportu asgjë. Le ta trajtojnë Policia, deri tash nuk më ka raportu kurgjo”- tha Jakupi.

Në lidhje me këtë rast, Policia tha "që është udhëzim, format A4, fletëvotimet janë A3”.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.

Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.

Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.

Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.

Ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

 

Fluks i qytetarëve në Fushë Kosovë, për të shfrytëzuar të drejtën e votës

Edhe në Komunën e Fushë Kosovës, një numër i madh i qytetarëve kanë dalë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës. Kështu ka bërë të ditur menaxheri i vendvotimit, Esad Simnica në shkollën fillore “Selman Riza”, njëkohësisht qendra me më së shumti votues në këtë komunë.

Derisa ka dhënë më shumë detaje rreth procesit të votimit, Siminca ka theksuar se të drejtë vote në këtë vendvotim kanë mbi 15 mijë qytetar, ndërsa këtë të drejtë deri më tani e kanë shfrytëzuar mbi 3 mijë qytetarë.

Simnica: Procesi zgjedhor ka filluar sipas kohës që ka qenë e përcaktuar

“Procesi zgjedhor ka filluar sipas kohës që ka qenë e përcaktuar. Vërehet një fluks mjaft i madh i qytetarëve. Gjitha vendvotimet kanë qenë të pajisura me material zgjedhor dhe komisionerët dhe vëzhguesit. Pra, deri tash nuk kemi asnjë element të dyshuar sa i përket zgjedhjeve...Të drejtë vote në këtë qendër kanë diku 15 mijë e 443 persona dhe sipas asaj që kemi marrë në fillim kemi pas 1 mijë e 200. Tash deri në këto çaste janë afër 3 mijë votues që kanë dalë në zgjedhje...Ndërsa janë 14 vendvotime në qendrën tonë”, tha Simnica.

Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Qendra e votimit me kusht në Zubin Potok mbetet pa fletëvotime

Qendra e votimit me kusht në Zubin Potok ka mbetur pa fletëvotime për zgjedhjet e sotme parlamentare.

Kështu ka bërë të ditur, koordinatori i Demokracisë në Veprim (DnV), Dushan Radakoviq.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor deri në orën 11:00 kanë votuar 8.58 për qind e qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat