KQZ: 80% e të regjistruarve në diasporë votuan për zgjedhjet e 9 shkurtit
![](/media/botasot.info/images/2025/February/11/auto_Screenshot_2025-02-11_1307221739275650.jpg)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 80.1 për qind e pjesëtarëve të diasporës kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të martën se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15.352 qytetarë, ndërsa me postë 68.712.
Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen që kjo përqindje mund të ndryshojë, pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.
Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 104.924 votues nga diaspora.
Ky ka qenë procesi i parë zgjedhor kur pjesëtarëve të diasporës u është mundësuar votimi në 19 përfaqësi diplomatike në gjithë botën.
Elezi ka thënë se numërimi i votave nga diaspora do të nisë të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.
Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 40 për të votave, e përcjellë nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind të votave, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, rreth 7 për qind të votave.
Një partie i duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend për të formuar Qeverinë e re.
Aktualisht asnjëra parti nuk i ka ato. Partitë që aktualisht janë në opozitë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për të formuar qeverinë.
Analistët vlerësojnë se në ditët, javët ose edhe muajt në vijim, Kosovën e presin turbulenca politike./REL