LIVE: Numërohen 99% e votave – LVV fituese e padiskutueshme - këto janë rezultatet e fundit nga KQZ

Aktuale

LIVE: Numërohen 99% e votave – LVV fituese e padiskutueshme - këto janë rezultatet e fundit nga KQZ

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 00:14 më 10.02.2025
Grafika e votave

Osmani pret që KQZ-ja ta përfundojë me sukses numërimin e votave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do ta përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme, pas telasheve në ueb-faqen e komisionit.

“Pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, tha Osmani, sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës në Facebook.

“Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar”, thuhet në njoftim.

Pas telasheve të vazhdueshme pas fillimit të numërimit të votave rreth orës 20:00, faqja e KQZ-së u rikthye dhe sipas të dhënave të fundit, deri tani janë numëruar rreth 73 për qind të votave.

LIVE REZULTATET

 

​Numërohen mbi 70 për qind e votave, kështu është renditja e partive

KQZ-ja po vazhdon numërimin e votave për zgjedhjet e sotme parlamentare.

Deri në orën 23:23 janë numëruar 73.04 për qind e votave nga 1.850 vendvotime nga gjithsej 2.533 sosh.

LIVE REZULTATET

Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind ose 258 mijë e 020 vota. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22.68 për qind ose 139 mijë e 357 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta 17.90 për qind ose 109 mijë e 986 vota.

Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët 7.56 për qind ose 46 mijë e 434 vota. Lista Serbe 2.98 për qind ose 18 mijë e 313.

Radoniqi: Nuk do të ketë rezultate periodike, do të ketë rezultat preliminar

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se KQZ-ja pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kanë bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet preliminare.

Por, sipas Radoniqit, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar dhe nuk po arrijnë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike.

“Në këto rrethana KQZ-ja ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, që tashmë janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha Radoniqi.

Më tej, ai tha se KQZ-ja i siguron qytetarët se mos transmetimi i të dhënave për subjektet politike përmes platformës elektronike, nuk ka asnjë ndikim në rezultatet që janë pjesë e këtyre formularëve.

Ai ka deklaruar se do të ketë që mbledhje të votave në mënyrë manuale.

Në një konferencë për media, ai tha se softueri nuk u ka funksionuar në fund, duke thënë se votat janë të sigurta.

“Stafi i KQZ-së do të punojë që të gjitha të dhënat të futen manualisht në kompjuter, a është në 3 apo 4 të mëngjesit nuk mund të them”.

“Do t’i mbledhim të gjitha të dhënat, do të vendosim më tutje se si do t’i publikojmë. Nuk do të ketë rezultate periodike, do të ketë rezultat preliminar”, ka thënë Radoniqi.

Ky është rezultati nga 50.89% të votave të numëruara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet për 50.89% të votave të numëruara. 

Renditja e partive politike është kjo:

VV 37.50%

PDK 29.80%

LDK 16.29% 

AAK- Nisma 7.92%

Lista serbe 2.28%

Përditësimet e fundit nga KQZ - ja renditjet aktuale të partive

Deri tani janë numëruar mbi 23 për qind të votave, raporton "Bota sot".

Në faqen zyrtare të KQZ-së, janë paraqitur si më poshtë:

LVV: 55.77%

PDK: 25.39%

LDK: 8.99%

AAK: 5.00%

KQZ publikon rezultatet e para, këto janë përqindjet e partive

Nga: H.O.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar tashmë numërimin e rezultateve të zgjedhjeve të sotme, duke publikuar edhe rezultatet e para.

Nga këto rezultate Vetëvendosje prin bindshëm me 37%.

Pas saj vjen PDK me 25%, LDK-ja me 17%.

AAK-ja me Nismën me 8%.

Ndërkaq Lista Serbe me 4% dhe Koalicioni për Familjen me 1%.

Image

Fillon numërimi i votave nga KQZ, këtu mund ta ndiqni

Ka filluar numërimi i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Votimi për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë mbyllur në orën 19:00.

Më poshtë keni linkun ku mund t’i ndiqni 'live' numërimin e votave.

Shiko KËTU.

KQZ: Procesi i votimit i përmbyllur pa probleme, mbi 780 mijë qytetarë votuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se procesi i votimit është përmbyllur me kohë sipas parashikimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare nga 2 mijë e 297 vendvotime apo nga 90.68% e tyre nga gjithsejtë 2 mijë e 533 sa janë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë votuar 40.04% apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944”, tha Elezi.

Ai shtoi se menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike.

Elezi tha se procesi është zhvilluar në rregull dhe pa probleme që do ta cenonin integritetin e tij.

Nis numërimi i votave në qendrat e votimit

Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar numërimi i votave në këto qendra ku është organizuar procesi i sotëm zgjedhor.

Ekipi i kp po qëndron në një qendër votimi në kryeqytet, ku nga afër po përcjell procesin e votimit të numërimit të votave nga komisionerët.

Për herë të parë mediat e akredituara lejohen të vëzhgojnë procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor ka filluar në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. 

Përfundon procesi i votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Në orën 19 përfunduan zgjedhjet parlamentare në të cilat njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00.

Rreth 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.

LIVE REZULTATET

Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.

Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti.

Analistët serbë thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat