Lëvizja Vetëvendosje kryeson në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por duket se duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili pohoi se është përballu me probleme teknike gjatë numërimit, kur janë përpunuar mbi 70 për qind të votave, lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurtit fitoi 41.99 për qind e pasuar nga Partia Demokratike me 22.68 për qind, Lidhja Demokratike me 17.9 për qind dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 7.56 për qind.
Ndonëse pritej që rezultatet paraprake të publikoheshin të dielën në mbrëmje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi u zgjat dhe përpunimi i të dhënave po kryet manualisht.
REZULTATET NË KOHË REALE
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që KQZ-ja ta përfundojë me sukses numërimin e votave.
“Pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një njoftim nga Presidenca e Kosovës.
“Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar”, thuhet mes tjerash në njoftim.Rezultati i deritashëm shënon një rënie nga më shumë se 50 për qind sa fitoi partia e Kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021.
“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme”, tha zoti Kurti të dielën vonë. “Falënderoj të gjithë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të koalicionit tonë fitues me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa. Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët që i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja”, theksoi ai.
Mbështetësit e partisë së tij kremtuan fitoren në Prishtinë dhe disa qytete tjera të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij priste rezultat më të mirë në zgjedhje në të cilat tha ai, doli me 18.14 për qind. Ai pret që rezultati të rritet me numërimin e votave nga diaspora.
“LDK-ja pret t’i fitojë rreth 190 mijë vota nga ky proces zgjedhor. Duhet të jetë diku rreth 20 për qind. Është një rezultat që e respektojmë dhe përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”, tha zoti Abdixhiku në një konferencë për shtypin.
Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, e cilësoi “sukses të pamohueshëm” rezultatin e PDK-së si forca e dytë më e madhe në vend.
“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallzojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota”, tha ai.
Njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Mijëra vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve mbi 100 të dërguar nga Bashkimi Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës ndoqën procesin në mbi 940 qendra votimi që qëndruan të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00. Zgjedhjet u tha se u zhvilluan pa ndonjë incident përmasash që mund të dëmtonte procesin.
Mbi 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.
Zgjedhjet e sotme, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, u panë si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe u vu në përpjekje për një mandat tjetër.
Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.
Votimet e së dielës do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri. Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.
Dhjetë nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb, dhjetë të tjera për komuniteteve tjera pakicë. Rreth 100 mijë qytetarë serbë me të drejtë vote patën mundësinë të zgjedhin mes gashtë partive politike nga radhët e këtij komuniteti.
Analistët serbë thanë se në këto zgjedhje pati një pluralizëm më të madh demokratik.
Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.